.
×

Saraçi deklaron në polici për fotografinë e Brovinës, paralajmëron padi për shpifje



Ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi ditë më parë ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka parë fotografinë të cilën e kishte bërë publike deputetja e PDK-së, Flora Brovina. Kjo e fundit kishte thënë se Saraçi, ia kishte dorëzuar në zarf këtë fotografi gjatë vitit 2003, në kohën kur punonin bashkë në Komisionin për Personat e Zhdukur.

Një gjë të tillë kishte mohuar Saraçi, madje sot, ajo është paraqitur në polici për të dhënë deklaratë.

“Po, jam paraqitur sot në polici dhe jam intervistuar si dëshmitare. Ju njoftoj se kam deklaruar të vërtetën, ashtu siç është. Nuk kam lidhje me fotografinë, dhe nuk kam lidhje me këtë rast”, thotë ajo.

Ajo deklaron se shumë shpejt do ngre padi për shpifje ndaj deputetes Brovina.

“Ajo ka keqpërdorur emrin tim pa pasur lidhje me veprimet e saja, ndërkohë unë jam në përgatitje të kallëzimit penal kundër znj. Flora Brovina, për keqpërdorim të emrit tim”, tha ajo.

Ndryshe, pas publikimit të fotografisë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, me të cilën pretendonte se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e po ashtu edhe nga familjarët e tyre.