.
×

Sallova: Nuk e bën Rama Serbinë Evropiane!



Pas asaj çfarë ndodhi në Beograd, jo vetëm në stadium gjatë ndeshjes, por edhe më pas, në deklaratat që bënë Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm serb, kryeministri Edi Rama do të duhej ta anulonte fare vizitën e tij në Serbi ose ta shtyente atë në një afat kohorë më të gjatë, sepse kjo tek e fundit do t’u jepte kohë politikanëve serbë të reflektonin dhe eventualisht t’i ndryshonin deklaratat e tyre.

Kështu thotë për Indeksonline, analisit Donik Sallova.

Sipas tij, ata (kryeministri, presidenti dhe ministri i Jashtëm) publikisht e ofenduan kombin dhe shtetin shqiptar me deklaratat e tyre publike dhe çfarë kuptimi ka që pas vetëm ca ditësh të shkosh në Beograd për të nxjerrë deklarata për domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal.

“Unë mendoj që politikanët serbë edhe kur të shkojë Rama atje do ta akuzojnë Shqipërinë dhe do t’i akuzojnë shqiptarët për atë çfarë ndodhi në atë ndeshje futbolli. Edhe kur të shkojë Rama në Beograd politikanët serbë nuk do të kërkojnë falje për thirrjet raciste dhe sjelljet naziste të popullit serb atë natë në stadium”, ka thënë tutje Sallova.

Edhe pse Rama është kryeministër i shtetit amë të shqiptarëve, ai thotë se politikanët serbë nuk do të kërkojnë falje për njerëzit që shteti serb i vrau e i preu veçanërisht në luftën e fundit në Kosovë.

“Madje, më këtë vizitë të Ramës, politika serbe do të clirohet përfundimisht nga obligimi për t’u kërkuar ndonjë herë falje shqiptarëve për atë çfarë shteti serb u ka bërë atyre. Tek e fundit do të thonë: ne edhe i vramë shqiptarët, edhe sot brohorasim vrisni shqiptarët e këta sërish vijnë tek ne për paqe e bashkëpunim”, thekson më tej Sallova.

“Shtyerja e vizitës që u paralajmërua për 10 nëntor, nuk mund të quhet shtyerje, por vetëm spostim teknik i agjendës. Pra, shtyerja e vizitës nuk duhet të jetë teknike, por shtyerje në formë proteste dhe që kërkon reflektim nga politika serbe. Vizita e Ramës në Beograd nuk i bën më europian shqiptarët. Sa sa europianë janë shqiptarët këtë e tha Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator”.

Sallova thotë se europianë jemi, këtë nuk kemi nevojë ta dëgjojmë as nga zëdhënsja Koçijançiç e as nga Nikoliqi.

“Nuk mund të pretendojë Edi Rama ta bëjë Serbinë europiane, meqë nga disa analistë po i mëvishet roli europian që iu paska ngarkuara Ramës BE-ja, sepse Serbia para pak ditësh e dëshmoi orientimin e saj kah Rusia, duke e pritë sikur Perandor Vladimir Putinin. Cili lider i ndonjë shteti europian do ta vizitonte Serbinë nëse lojtarët e kombëtares së tij dhe populli i tij do të ofendoheshin e kërcnoheshin siç ndodhi me 14 tetor me shqiptarët? Asnjë lider që ka dinjitet nuk do e bëntë një vizitë të tillë. Shtyrja e vizitës do të dëshmonte që politika dhe shteti shqiptar kanë parime humane dhe nacionale të cilat i përfillin”, ka thënë në fund Sallova. /Indeksonline/