[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Salih Kabashi: Me Adem Istrefin, nëpër natë e nëpër jetën e tij



Kur për herë të parë shkova në Shqipëri, dy vetë nuk e patën të vështirë ta gjenin njëri-tjetrin. Unë Ademin e Adem Istrefi mua. Shoqërohesha dhe jetoja me bindjen e çuditshme se atë e kisha dikë timin.​

Ndoshta pse vepra e tij letrare në Kosovë kishte qarkullim klandestin dhe lexim të gjerë. Nëse për ndonjë libër mund të thuhej se jo vetëm lexohej por edhe hahej, atëherë ndër ato libra të parat do të ishin ato të Adem Istrefit. Qysh gjatë shkollimit tim në Gjimnazin pastaj edhe në Normalen e Pejës qejfin për lexim të poezisë ma nxitën e ma shishmuan vargjet e strellcjanit, bashkëvendës të të cilit kisha në klasë e në shkollë. Ai qysh i ri kishte dalë në Shqipëri…​

Takimi im i parë me Adem Istrefin ishte pothuajse takim i njerëzve që njiheshin. Unë e doja atë shumë, shumë më herët.  E gjeta në kafenenë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Këtu ku e tregon edhe fotografia. Nuk ishte vetëm. Me të ishin dhe mua po më prisnin, pos Ademit edhe figura shumë të njohura dhe që i gjeta para së gjithash njerëz të mrekullueshëm: Ndrekë Luca, Sadri Ahmeti e ndonjë tjetër.​

Dikush kishte lajmëruar me kohë, hej! po vjen Salih Kabashi nga Lubjana e Sllovenisë…, doni ta takoni?​E kam shkruar edhe diku tjetër: kosovarët emigrantë në Tiranë, kur atje shkela për herë të parë, i gjeta të lodhur e gati të sëmurë. I kishte lodhur ankthi i të qenmit nën survejim të përditshëm, i rrezikut të burgosjes e internimit, malli për vendin e lindjes, kushtet e mjera të jetesës…​Kosovarët si dhe të gjithë shqiptarët dukej se i kishte lodhë Shqipëria. ​

I shihja të zbehtë e të frikësuar. Vetëm shishet e gotat e shumta të fernetit që zbraznin gurmazeve, atyre dikur u sillnin rreze efemere në sytë e dritë të pakkohëshme në fytyrat e tyre.​Në Tiranë asokohe ishin instaluar lloj-lloj kosovarësh dhe shqiptarështë tjerë të Maqedonisë e Kosovës me punë apo në azil politik, por edhe thjeshtë badihavxhinj nëpër Evropë. Nuk ishin të paktë ata që kishin ardhë, siç thuhet – me shitë salltanet… Disa edhe për punë jo aq të pastra e aspak të lavdishme.​Shqipëria ishte e shqyer. Ishte e paushqyer. Nga banorët e saj ishte e urryer.

Pollavrat politiko-patriotike të disa kosovarëve asaj i tingëllonin shumë cinike.  Megjithatë heshtnin, dëgjonin, prisnin shpëtim. Dhe në fukarallëkun e tyre tregonin bujari të paimagjinueshme.  ​Fliste e heshtte edhe Adem Istrefi, personazhi i kësaj fotografie. Në të dyja rastet ai thoshte shumë. Pak muaj më vonë ai, për “Republikën” time pat bërë një shkrim mbi tredhjen e trurit që i kishte ndodhur Atdheut tonë përgjatë lulzimit  në të gjitha fushat… Mbrëmë gati më zu sabahi duke mbajtur nëpër duar fotografi të shumta. Secila më thoshte diçka. Secila zgjonte një kujtim, një mall.

Secila sillte një jehonë. I ndava në më pak të rëndësishme dhe në më domethënëse. I lashë të gjitha për një vizitë tjetër. Te njëra u ndala dhe asaj iu thellova. Është kjo që më futi fellutave të këtij shkrimi.​U mallëngjeva jo për vitet që shkojnë. Jo, jo! Po mendoja se në çastin e fotografimit, as unë as Adem Istrefi, edhepse do të duhej, prapëseprapë nuk kishim se si të gëzoheshim.​

As ai as unë nuk mund të dilnim matanë, ku ai të pinte nga një gërçamë ujë në të gjitha gurrat e Strellcit, ndërsa unë të shihja, sepse po përvëlohesha t’i shihja sytë plot gjak e lot që nuk po i thaheshin kurrë lokes sime…​

Mustaqet e Adem Istrefit, skuqur nga duhani, ligjërimi i tij, me shumë fjali ndërmjetëze që atë e bëjnë të bujshëm e shumëdegësh, ndonjë grimcë humori si purpur i ëmbël, grushti para gojës për të bllokuar shpërthimin e një kolle…​Poeti im i preferuar më ngjante atëherë sikurse më duket edhe tash në fotografi: si ata burrat markant, pedant e urtak që me parakalimet e tyre, veshur allafranga, stolisnin kalldërmet e Pejës sonë të hershme.

Qeshje e lehtë. Një koll poashtu i lehtë shkaktuar nga duhan i keq. Dhe mjegulla e dendur e tymit. Adem Istrefi donte të thoshte diçka… Shumëçka. I tejkalonte apo i linte për një rast tjetër duke mbushur kraharorin dhe duke nxjerrë një ofshamë të shoqëruar me ulje koke…

Pas pesëmbëdhjetë vjetësh, në një pasdite me Ramadan Musliun, Hysamedin Ferajn dhe Adem Istrefin ishim ulur në një kafene në rrugën Myslym Shyri. Ishte pasdite. Ademi tashmë e kishte pa dhe e kishte shëtitur nëpër Kosovën e lirë.  Gurrat e Strellcit më nuk do t’i mbajnë inat, ai secilës ia kishte zgjatur buzët e etura e të përmalluara.​

Sa kisha ardhë nga Sllovenia. Më pyeti: Kur do të nisesh për n’at anë? Nesër, i thashë. Nëse do të shkoje sonte, do të shkonim bashkë! Shkojmë nesër. Jo nesër, sonte, sonte. Dukej se nesër do të ishte kot dhe se vetëm nisja e menjëhershme kishte kuptim.​- Mirë. U bë. Nisemi sonte! Shko bëhu gati – i thashë.​

Pas një ore, Volvoja ime 15 vjeçare, me mua e me Ademin në bord u nis natën për në Kosovë si duke fluturuar. Mbi ne fluturuan si zakonisht disa gurë nga banesat sipër rrugës në Rrëshen… Nga gurët e guralecët e Kukësit shpëtuam. Gurëhedhësit i zumë në gjumë…​

Në mesnatë shtëpia ime në Gurakuq iu gëzua mysafirit të saj të papritur por shumë të dashur. Shtatë orë vozitje na kishin kaluar sa një orë. Bashkëudhëtimi më i bukur i jetës sime. Brenda atyre orëve unë isha i tëri dhe gjithë kohën brenda dramës së madhe të një njeriu.​

Në mëngjes, pas një kaftjalli të lehtë, poetit strellcjan të Tiranës i tregova sa i çmendur është gjelbrimi i majit në vendin tim. Poeti shijonte e përjetonte. Ne të dy po gëzoheshim me pranverën…​Në qytezën time ka ekzistuar një burg famëkeq i ngritur nga OZNA e UDB-a. Kam qenë banor i tij në periudha të ndryshme të rinisë sime. Deshi ta shihte. Shkuam dhe e pamë. Zymtësia largoi gazin e pakmëparshëm të pranverës. Një kollë i dridhi mustakun Adem Istrefit. Morëm rrugën e Pejës. Gurrat në Strellc po hidhni vrushkujt e akullt për të hequr shkrumin e rrënesës  së ferrtë.​

Nëna ime gjatë asaj kohe sa i ra me folë me Ademin, i thoshte: “Djali jem…, Zotit shyqyr djali jem…, po djali jem…, ani djali jem…​Të ketë qenë Adem Istrefi vëlla imi?!​Me siguri ishim vëllezër përnga dhimbjet e përnga dashuritë.

KU JANË LIRIKAT E MIA?…

Ku t’i kërkoj?​

Kush m’i vodhi?…​

Në petalet e luleve aromë-dehëse mos kërko,​As në flokët e pakrehuna të shelgjeve nuk i gjen.​Në ujëvarat e bardha shkumbë jo, nuk janë.​Me cicërimat e zogjëve nuk janë përzi.​Lirikat e mia nuk janë cicërima.​

Nën kapuçin e bardhë janë thinjë,​

Në tela me gjemba janë mbërthye,​

Në zgavrat e çiftelisë janë strukë,​

Nëpër rrugët e vorreve janë shkelë,​

Në thinjat e zemrave të nanave janë kacavarë,​

Në buzët e gjakosura të fëmijëve janë gri​

Dhe në besimin tim janë shkri.

 

Menu Title