.
×

RTK-ja, thirrje Kuvendit ta miratojë ligjin e ri



Sindikata e Punëtorëve e RTK-së u bën thirrje partnerëve të koalicionit dhe opozitës që ta votojnë sa me parë ligjin e ri të RTK-së. Sindikata, po ashtu, u bën thirrje që miratimin e ligjit për RTK-në të mos e lidhin me fatin e ndonjë individi as në RTK as në Kuvendin e Kosovës.

“SPERTK në vazhdën e angazhimeve të saj sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit për Medie në Kuvendin e Kosovës z. Nait Hasani, në lidhje me ligjin e ri të RTK-së. Hasani tha se tashmë nuk ka asnjë arsye që ligji i ri i RTK-së të mos votohet. SPERTK kërkon nga gjithë deputetët që ta votojnë ligjin e ri i cili i siguron RTK-së pavarësi financiare nëse duan siç po deklarohen që RTK ta ketë pavarësinë e saj financiare. Tashmë e kanë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë duke votuar ligjin e ri i cili i lejon RTK-së të zhvillohet duke filluar me procesin e digjitalizimit të arkivit, ndërrimin e teknologjisë, ndërtimin e objektit të ri dhe po ashtu duke u lejuar RTK-së të hyjë në kredi për nevoja të mediumit publik. SPERTK nuk sheh ndonjë arsye për mosvotimin e ligjit të ri të RTK-së.

Çdo shtyrje është shkatërrim për mediumin publik dhe përpjekje për të pasur nën kontroll nga individë të caktuar të partive politike. SPERTK shprehet e zhgënjyer nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët tash e 18 vjet nuk po mund dhe nuk po duan ta zgjidhin çështjen e RTK-së. SPERTK kërkon që ligji të miratohet para vitit të ri në mënyrë që RTK të shkëputet nga buxheti shtetëror dhe ta fillojë financimin e pavarur të saj siç parashihet me ligjin e ri.

Të nderuar deputetë, nëse nuk miratohet ligji i ri deri në fund të këtij viti, ne do ta ushtrojmë të drejtën tonë ligjore për të organizuar protesta para Kuvendit të Kosovës derisa të votohet ligji i ri për mediumin publik”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.