.
×

Rrjeti i Grave dënon gjuhën e urrejtjes të përdour nga Jabllanoviq



Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dënon rëndë përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga Aleksander Jabllanoviq, Ministër për Kthim dhe Komunitete në Republikën e Kosovës, ndaj qytetarëve të vendit.

Përveq gjuhës së urrejtjes, ai publikisht mohoi shtetësinë e Republikës së Kosovës, duke iu referuar asaj si ‘Kosovë dhe Metohi’.

Me 6 janar 2015, me rastin e ardhjes së pelegrinëve serb për të vizituar kishën ortodokse në Gjakovë për krishtlindjet ortodokse, qytetarët e Gjakovës organizuan protestë në kundërshtim të kësaj vizite, pasi që mendohet se disa nga këta pelegrinë janë përgjegjës për krime lufte të kryera në këtë qytet.

Pasi kjo vizitë u pamundësua nga kjo protestë, të njëjtit pelegrin vazhduan vizitën në manastirin e Zoqishtit të Rahovecit, me ç’rast z. Jabllanoviq i quajti protestuesit gjakovarë ‘egërsira’.

“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t\’i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga Ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi. Kthimi i serbëve në Kosovë duhet të përcillet me sigurinë e tyre nga ana e qeverisë së Kosovës dhe Metohisë,” ka thënë ai.

RrGGK e njeh ushtrimin e të drejtës fetare, njëjtë sikur edhe të drejtën e protestës dhe paknaqësisë që shprehet në mënyrë demokratike, e drejtë kjo e cila i’u garantohet qytetarëve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjuha e urrejtjes e përdorur nga z. Jabllanoviq dhe mosnjohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, paraqesin shkelje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës.

RrGGK gjithashtu përkrahë shoqatën “Thirrjet e Nënave”, të cilat me të drejtë vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve edhe 16 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë. Për më shumë çështja e të pagjeturve duhet të jetë e panegociueshme në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Andaj, RrGGK kërkon nga qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të reagoj dhe të ndërmarrë masa në përputhje me ligjin.