.
×

Rritet uria nëpër botë, 820 milionë njerëz në rrezik



Botapress 16 Korrik – Raporti pёr sigurinё e ushqimit i OKB-sё tregon se ka ende mjaft njerëz të uritur nëpër botë, e tre janë sipas tij arsyet kryesore të kësaj situate: konfliktet, zhvillimi i ngadaltё dhe ndryshimi i klimёs.

Qëllimi për ta eleminuar urinë deri në 2030-tën po shndërrohet në një sfidë vërtet të vështirë, thuhet në raport. 820 milionё vete, theksohet aty, vuajnë nga uria kronike; 149 milionё prej tyre jane fёmijё nёn moshёn pesё vjeҁ, të cilët kanë mbetur të pazhvilluar nga mungesa e ushqimit.

Urgjente, gjendja paraqitet për gati 96 milionë njerëz, të cilët duhet të kenë qasje të menjëhershme tek ushqimi që të mos vdesin. Më alarmante situata mbetet në Afrikë, rajoni me nivelin më të lartë të urisë në botë; fenomeni mbetet akut në rajonet lindore të Afrikës, ku gati një e treta e popullsisë është e kequshqyer.

Kushteve klimatike dhe konflikteve i shtohen dhe ngërçet ekonomike si faktorë kryesorë që çojnë drejt kësaj situate. Kjo problematikë e rëndë prek dhe Azinë e Jugut, me mbi 500 milionë njerëz të kequshqyer, përcjell TCH.

Si në këtë zonë, ashtu dhe në Afrikën sub-sahariane, një në tre fëmijë nuk është i zhvilluar siç duhet. Pёrballё tё uriturve nё botё qëndrojnё, sipas “World Wealth Report”, 18 milionë vetë nëpër botë që zotërojnë të paktën një million dollarë.