.
×

Rrëfehet Limaj, tregon detajet e prishjes së Bllokut



I pari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka theksuar se ndonëse kishte pengesa në realizimin e projektit të Bllokut VLAN, ato ishin të tejkalueshme.

Sipas tij, pengesë e parë u bë vendimi Gjykatës Kushtetuese, pas së cilit vendim, partnerët erdhën në një pozicion kur duhej të ridizajnohej marrëveshja.

“Tani mundemi me spekulu, por marrëveshja ka qenë një marrëveshje politike. Një vendim i GJK-së nuk i jepte mundësi parlamentit, që kur dështon njëri, tia jep të drejtën tjetrit. Kjo ka ndodhur për herë të parë”, ka vlerësuar Limaj, në emisionin Rubikon të KTV-së.

Andaj, sipas tij, ishte me rëndësi që të ridizajnohej marrëveshja dhe të shkohej më tutje.

“Ajo që unë u kam thënë kolegëve, të gjithëve: duhet t’i bëjmë të gjitha, të shkojë projekti përpara. Ua kam thënë të gjithëve, secilit në tavolinë: Nuk guxojmë të rrezikojmë projektin për çështje personale. Fatkeqësisht nuk u realizua projekti dhe jemi aty ku jemi”, ka bërë të ditur Limaj.

Sipas tij, ai gjatë ditëve të fundit, në drejtim të ruajtjes së Bllokut, kishte pasur takime të shumta, me liderët, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa.

“Javën e fundit, nëndegët filluan të lëshojnë deklarata dhe lëshimi i këtyre deklaratave ishte diçka që tregonte se nuk do të ishte e lehtë që të shkohet më tutje. Vullneti ka qenë, dëshira për me ecë përpara, por të hënën dhe të martën e fundit, gjërat veç kishin filluar të ndryshojnë”, ka thënë ndër tjerash Limaj.