.
×

Rrëfehet Agoni i “Tingulli 3-nt”: Ja si u grabitëm dhe u dhunuam nga njerëzit me maska në Rrugën e Kombit



Ditën e hënë (27 tetor), ora 19:30, ka qenë moment i kobshëm për anëtarin e rep grupit të njohur “Tingulli 3nt”, Agon Sylejmani apo i njohur në publik si Agon Amiga. Së bashku me bashkëshorten e tij Egzonën ishin drejtuar për një vizitë të shkurtër në Shqipëri. Pasi kishin kaluar bukur gjatë qëndrimit këtu, rreth pasdites vendosën të kthehen në Prishtinë, por kthimi rezultoi dramatik për çiftin.

Ata janë grabitur dhe dhunuar nga disa njerëz me maska në Rrugën e Kombit. Ja se çfarë tregon Agoni për ngjarjen: ”Unë shkova në Tiranë për pushim njëditor me gruan, Egzonën, kaluam shumë mirë, dhe u kthyem për në Kosovë prej rrugës nga Miloti. Te disa kioska anash rrugës ndaluam për të blerë diçka për të pirë, i morëm gjërat dhe, sapo hipëm në makinë, na dolën dy persona me maska dhe të armatosur dhe filluan të vinin në drejtimin tonë. Ata kanë mbajtur armën në kokën time dhe më tërhiqnin jashtë e Egzona brenda makinës.

Njëri shkoi në anën tjetër të makinës dhe e tërhoqi zvarrë Egzonën për flokësh, duke e nxjerrë dhe kanë hipur në makinën time. Makina që më zuri rrugën, ka qenë pa targa dhe me xhama të errët, unë nuk mbaj mend asgjë nga tmerri. Aty nuk ishte askush, vetëm se kam parë një makinë ku kërkova ndihmë. Thirra policinë, erdhën dhe ju tregova rastin”, – thekson Agoni, i cili kishte ardhur në Tiranë për të porositur diçka për apartamentin e tij të ri në Prishtinë. Makina ka qenë e markës “BMW M5”, ndërsa në të kanë qenë shumë gjëra të vlefshme të çiftit, përfshirë edhe çantën e bashkëshortes.

”Kemi shkuar në Laç, aty kemi dhënë deklaratë në rajon deri në orën 1:00 pas mesnate. Policia na ka kthyer deri në kufi dhe aty ka ardhur vëllai të më marrë me makinë. Policia e Kosovës me atë në Shqipëri janë në kontakt dhe presim të mbarojnë hetimet. Lëndime pak kemi, unë kam disa gërvishtje në trup dhe në kokë e faleminderit Zotit kemi shpëtuar shumë mirë. Në Rrugën e Kombit, unë kam kaluar shumë lirshëm, por pasi më ka ndodhur kjo, nuk e ndiej veten të sigurt dhe kam vetëm kujtime të këqija për atë vend”, përfundon rrëfimin e tmerrit Agoni.