.
×

Rrahman Paçarizi: Brucosh çka do m’u ba kur të rritesh?



 

Korrik, 2018

Vitin e kaluar isha në Universitetin e Poznanit në Poloni për të mbajtë disa ligjërata në kuadër të programit Erasmus+. I habitur nga numri relativisht i madh i atyre që studionin shqipen ose ndiqnin kurset e shqipes, i pyeta drejtuesit prej nga gjithë ky interesim për të studiu shqipen. Ata më thanë se polakët janë shumë të dhënë pas turizmit aventuresk dhe Shqipërinë e kanë destinacion. Për këtë arsye guidat turistike apo ciceronët që e flasin shqipen dhe polonishten janë shumë të kërkuar. Moralin e kësaj pjese do t’jua them në fund – nuk e fsheh se dua t’jua testoj edhe durimin edhe t’ju nxis të ma lexoni këtë tekst deri në fund.

Të dashur kandidatë për brucoshë, 

A e dini se për sa ekonomistë ka nevojë Kosova? A e dini se sa juristë të diplomuar nuk lënë konkurs pa u paraqitur? Sa vende pune ju presin si mjekë dhe sa vite studimi e ç’procedura duhet të kaloni për të punuar si mjekë a infermierë? Sa edukatorë të punësuar e sa të papunë njihni? A keni lexuar ndonjëherë se cila është perspektiva e dikujt që ka studiu anglishten a gjermanishten? Po me gjuhë a letërsi shqipe ku mund të punësoheni? Ju që mendoni se e dini saktë se çka doni me u bë kur të rriteni, pasi u jeni qasë konkurseve për pranim në universitet, në fakt ku do të punoni me diplomat që aq shumë i doni tash e për të cilat qysh tash i jeni nënshtru një stresi të jashtëzakonshëm me përfundimin e vitit shkollor, me testin stresues të maturës, me vendimin jetësor se çka do të studioni dhe me provimin pranues edhe më stresues. Uh, se gati harrova: sigurisht Ju kanë thënë se drejtimet shkencore janë janë deficitare dhe po të studioni matematikën, fizikën, kiminë, ndërtimtarinë, arkitekturën, shkencat kompjuterike etj. do të keni më shumë perspektivë dhe do t’ju shpaguhet mundi.

Të dashur brucoshë, vetëm në Universitetin e Prishtinës, çdo vit akademik regjistrohen së paku 1000 studentë në ekonomi, 550 në juridik, 100 pritet të regjistrohen sivjet në filozofi e 120 në histori, nja 100 në sociologji, 110 në anglisht e 120 ne gjermanisht, 80 ne letërsi shqipe e 60 në gjuhë, nja 80 të tjerë në gazetari, pastaj nja 150 ne matematikë (zor se mbushet numri) e kështu me radhë. UP sivjet ka reduktuar maksimalisht numrat nëpër konkurse, e vetëdijshme për nevojat e tregut të punës, por duke respektuar edhe njëfarë trendi të interesimit për drejtimet e caktuara. Në konkurse shifrat janë të fryra në shkenca. Juridik dhe ekonomik kanë pothuaj të gjitha universitetet publike në komunat e Kosovës, si dhe të gjitha kolegjet private. A thua ka Gjermania potencial për t’i punësu gjithë ata ekonomistë e juristë, se Kosova jo se jo? Ngriteni vetë një hipotezë. Në të vërtetë as që keni rrugë tjetër, pasi askush nuk Ju ka tregu se cilat janë nevojat e tregut të punës në Kosovë, askush, përveç prindërve Tuaj nuk Ju ka tregu se cila është perspektiva Juaj.

A e dini se sektori publik që do të absorbonte numrin më të madh të ekonomistëve dhe juristëve është i stërngarkuar me administratë? A e dini sa paguhen shumica e gazetarëve (përjashto mediet serioze)? Ata që kanë pak më shumë fat mund të punojnë edhe në zyrat për informim të institucioneve. A e dini sa vështirë është të punësoheni si mësues. Një ish studente imja, e cila ka notën mesatare mbi 9, tash e dy vjet konkurron për mësuese të Gjuhës shqipe nëpër shkollat e fshatrave të Gjilanit. Ende nuk ia ka dalë. Më therri në shpirt shkrimi i saj para disa ditësh. Ata që kanë pak më shumë fat mund të punësohen edhe si lektorë.

Me siguri Ju kanë thënë se në shkenca ka më shumë perspektivë. Ku do të punoni kur ta kryeni elektron, ndërtimtarinë, fizikën, kiminë, biologjinë, shkencat kompjuterike, matematikën…? A keni dëgju për ndonjë program që i stimulon këto kuadro kaq të rëndësishme, që derdhin aq mund gjatë studimeve dhe në fund u sigurohet punësim? Nuk besoj të keni dëgju, pasi do të kisha dëgju edhe unë.

Por, me siguri që tashmë keni lexu aq shumë në rrjetet sociale që Gjermania kërkuaka mjekë dhe infermierë. Po, e vërtetë. Por, a mos keni lexu ndonjë statistikë që ju tregon se për sa infermierë e mjekë ka nevojë Gjermania ose sa të tillë është e gatshme t’i pranojë nga Kosova? A e dini se krahas studimeve duhet ta mësoni edhe gjermanishten. A Jua ka ofru ndokush ndonjë hulumtim të tregut për nevojat e tregut të punës, apo pasi ta kryeni matematikën do të punoni llogaritarë në arkat e supermarketeve. Të mos keqkuptohemi – çdo respekt për secilën punë të ndershme, por secila punë duhet të jetë në nivelin e shkollimit të kryer.

Morali i rrëfimit me të cilin e nisa këtë tekst është se përveç vokacionit, prirjeve a dashurisë për një profesion, gjithmonë ka një edhe arsye pragmatike për të studiu diçka, pra studimet duhet t’Jua sigurojnë afërsisht një punë në raport të drejtë me ambiciet.

Ju, mos u dëshpëroni nga ky tekst imi. Ai nuk u drejtohet Juve, por shtetit tim dhe Tuajit, njerëzve që paguhen për këtë punë.

Po Ju keni të drejtë me studiu dhe me i thurrë ëndrrat tuaja. Për një ëndërr të mirë, jo patjetër nevojitet një shtrat i rehatshëm dhe një jastëk. Nganjëherë mjafton ëndrra e nganjëherë jo.

Të dashur brucoshë, Jua dëshiroj të gjitha të mirat. Nuk dua t’ju shoh ëndrraprishur pas një viti a dy vitesh tek kërkoni perspektivën në një fakultet tjetër, se ky që keni regjistru s’paska qenë gjë; nuk dua t’Ju shoh pas katër a pesë vitesh duke pritë një vizë pune jodinjitoze në Perëndim; nuk dua t’Ju shoh nëpër kurset e gjermanishtes, suedishtes, frëngjishtes, kur tashmë Ju kanë vdekë ëndrrat dhe dëshpërimisht aplikoni për viza për bashkim familjar; nuk dua t’ju shoh tek punoni kamerierë, ndërsa keni kryer fizikën; nuk dua t’ju shoh tek hyni në listat për asamblistë, duke iu vardisë partive politike, me shpresën se do t’Ju mëshirojnë.