.
×

Rona Nishliu pritet me protestë, por fascionon Beogradin



Ka vendosur të improvizojë. Moti i ftohtë i Beogradit nuk e ka penguar që lëvizjet e zërit prej këngëtareje dhe lojën me grimasën prej një aktoreje ti bashkojë në performancën e saj. Derisa jashtë sallës ku ajo do të performonte një gup i qytetarëve serbë protestuan pikërisht për ardhjen e saj, Rona Nishliu ka zgjedhur që në Beograd me vete të marrë edhe perlat e Nexhmije Pagarushës e Tefta Tashko Koços.
Nishliu ka nisur kështu performancën e saj në kuadër të festivalit “Mirdita, Dobar Dan”, festival ky që sivjet vjen me edicionin e tij të parë, ky në kujtim të aktorit kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu i cili një pjesë të mirë të bagazhit të tij artistik e shkriu pikërisht në kryeqytetin serb.

Rona, e thjeshtë në një fustan të zi dhe me një kontakt të mrekullueshëm me publikun nën shoqërimin e Gent Rushit ka sjellë lojën e saj me xhezin, improvizimet e saja që dikur i bënte në kuadër të DAMFestival në Prishtinë, tendencën që të mishërohet me nota e mimikë, drejt melodive të cilat ndër vite, sipas saj, kanë ndihmuar në formimin dhe avancimin e këngëtarëve shqiptarë.

“Moj e bukura more”, “Një lule”, “Me motive tona” dhe melodi të tjera erdhën në gati dy orë realizim skenik nga Rona e shoqëruesi i saj. Është kthyer dy herë në skenë më duartrokitjet e publikut, krejt në fund për ta sjellë perlën e saj, “Suus”-in që bëri krenarë të gjithë shqiptarët.

“Bekim Fehmiu ka qenë një njeri që i ka dhënë shumë kulturës sonë, dhe jo vetëm. Jam ndier shumë mirë kur e kam marrë ftesën sepse kjo tregon se ky shtet pranon atë që unë bëj dhe atë që unë jam, kjo shumë me rëndësi për mua” shton Nishliu për KultPlus pas performancës në objektin e Orkestrës Filarmonike të Beogradit.

“Jam e sigurt se kjo performancë sot i hap rrugë një festivali dhe prezantimeve e debateve tjera në këtë iniciativë” shton Nishliu. Koncerti ka sjellë melodi që për Nishliun dhe Rushin sjellin në retrospektivë një periudhë të caktuar të formimit të tyre si artistë.
“Ky lloj i improvizimit na lejon të luajmë, na jep liri që të shprehim vullnetin tonë. Është një rezultat i gjendjes emocionale, aty ku xhezi përzihet me motive tradicionale të muzikës sonë. Sa herë e kemi luajtur, pas cdo prezantimi kemi pasur reagime interesante” shton Nishliu.

Performanca është e para shenjë se festivali po nis. Në po këtë sallë të enjten në mbrëmje është gjendur edhe Branka Petric, bashkëshortja e legjendës Bekim Fehmiu.
“Dikush më pyeti se çka do të thoshte Bekimi po të ishte gjallë sot. Unë e di se ai do të befasohej por edhe do të ndihej i lumtur me pritjen dhe këtë që po bëjnë edhe Kosova edhe Serbia për të” ka shtuar Petric.

“Ai ka thënë gjithmonë se artistët duhet të japin maksimumin e tyre në skenë. Këngëtarja që sot ishte në skenë bashkë me shoqëruesin e saj e bënë po këtë gjë. Unë mendoj se shoqëritë tona nuk kanë përparuar shumë, ato duhet ndaluar e biseduar mes vete” shton Petric.

Për KultPlus dhe rreth protestës së vogël të ndodhur në qendër të Beogradit, kjo para objektit të Filarmonisë së Beogradit, Millenko Dereta nga festivali ka treguar se protesta ka qenë e vogël dhe në orën 19:30, gjysmë ore para nisjes së festivalit, ka pasur një grup të vegjël njerëzish që janë ngritur kundër kësaj ngjarjeje, por nuk ka penguar në mbajtjen e koncertit. Sipas tij, është pritur edhe më shumë por për këtë është lajmëruar Policia e Beogradit e cila natën e koncertit ka qenë e pranishme në numër të madh jashtë e përreth objektit të Filarmonisë së Beogradit.

Endien, një djalë i ri nga Belgjika i cili këtyre ditëve ka realizuar një turne nëpër Ballkan, krejt rastësisht u gjend në këtë hapje festivali. Për KultPlus ai tregon se është premtuese që një festival i tillë synon të qetësojë një marrëdhënie që për shumë kohë është e ftohtë dhe e tensionuar.
“Jam shumë i befasuar që ky festival po organizohet. Kam parë jashtë disa njerëz që po protestonin, por kam parë edhe agjendën e festivalit dhe më vjen mirë që me anë të diskutimeve kulturore po synohet të thehet një urrejtje e mbjellë shumë kohë më parë. Diskutimi në nivele të ndryshme e lehtëson procesin” pohon belgu Endien.

Festivali vazhdon sot me debatin mbi dekonstruktimin e të kaluarës së përbashkët, më vnë me prezantimin e Blerta Zeqirit dhe krejt në fund të ditës janë dy paraqitje të shfaqjes teatrale “Dilerat” nga Bekim Lumi, në Qendrën Kulturore REKS.