.
×

Romani “Perandorët” edhe në Deçan  



Adem Lushaj

Nën organizm të Zyrës së kryetarit të komunës, Rasim Selmanaj dhe “Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur”, është bërë promovimi i romanit, “Perandorët”, të shkrimtares, gazetares dhe publicistes së shquar nga Tepelena, Majlinda Nana Rama. Jo rastësisht autorja kishte përzgjedh Deçanin për një promovim të tillë, sepse siç thotë Ajo, e vlerëson lart kontributin e deçanasve nëpër kohëra, kontribut i dhënë për çështjen kombëtare, sikurse vlerëson faktin se nga kjo komunë kanë dal krijues të zot të fjalës së shkruar artistike. Romani në fjalë, është vlerësuar lart nga kritikët letrar me nam, nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Sipas tyre, ky roman të ofron një realitet të frikshëm, një pamje makabre të krimit dhe të pasojave të tij, në përditshmërinë tonë. Sipas tyre, ngjizja e tekstit vjen si rrëfim dhe dialog, strukturë dhe shprehësi, ku përplaset njerëzorja me çnjerëzoren, duke endur një libër me problematika shoqërore, të cilat zbulohen përmes toneve realiste dhe postmoderne, si dhe figurimit të karaktereve realiste. Sipas autores së romanit, personazhet janë real, pra ekzistojnë në jetën reale në Shqipëri, bile edhe janë anëtarë aktiv të partive të mëdha shqiptare. “Ata dhe të tjerët si ata, po ia zënë frymën dhe me dhunën që ushtrojnë, nuk lejojnë të zhvillohet shoqëria shqiptare”, shprehët Rama, e cila apelon që personazhet e tilla, shoqëria dhe shteti shqiptar, duhet t`i përjashtojë dhe t`ua pamundësojë helmimin e mëtejmë të realitetit shqiptar. Për romanin në mënyrë kritike ka fol edhe Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptar në Mërgatë, i cili ka vlerësuar lart guximin e autores që të përballët me realitetin e hidhur, përballje e bërë përmes fjalës së shkruar.