.
×

Riza Bej Gjakova jeta dhe vepra  



Shkruan Prof. dr. Bahri Brisku

 

Për nderë të 102 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit nga Ismajl Qemali në Vlorë dhe 97 vjetorit të vdekjes së Riza bej Gjakovës, pjesëmarrësit të vetëm gjakovarë në shpalljen e pavarësisë, Shoqata e intelektualëve “JAKOVA” në bashkëpunim me Komunen e Gjakovës e nën patronazhin e Kryetares Mimoza Kusari-Lila me 27 nëntor 2014 mbajtën akademi përkujtimore kushtuar këtij tribuni të pavarësisë.

Akademinë përkujtimore me fjalën e rastit e hapi kryetarja e Gjakovës Mimoza kusari-Lila e cila në mes tjerash tha ”ndjehem e lumtur që koha dhe reflektimi i veprës heroike sot ngadhënjen mbi harresën e qëllimshme të politikave dhe ish sistemeve, duke na mbledhur sot të gjithëve këtu, për të përkujtuar një njeri të madh të Gjakovës dhe mbar trojeve tona. Më tej kryetarja theksoj se konsujt serb të kohës kishin raportuar në Beograd, se Riza beg kryeziu ishte person shumë i papërshtatshëm dhe njeri ndër pengesat më të mëdha të realizimit të “Naçertanjes” të Ilia Garashaninit.

Në fjalën e rastit në akademinë përkujtimore shkodrani prof. dr. Romeo Gurakuqi, Dekan i Fakultetit Juridik dhe Kryetar i Këshillit të Profesorëve të Universitetit Evropian të Tiranës, spikati rolin dhe kontributin e Riza bej Gjakovës në kryengritjet antiosmane si organizator dhe prijës i tyre.Më tej theksoj se ngarkesat ideologjike të”luftës klasore” përjashtuan nga faqet e saj

kolosët e luftërave çlirimtare në të dy anët e kufirit duke varfëruar në masë të madhe historinë e popullit shqiptar. Figurat më të spikatura me prejardhje nga familjet fisnike që ishin në krye të përpjekjeve antiosmane,nuk konsideroheshin si figura pozitive sepse ajo prishte themelin e konceptit të ngushtuar nga ngarkesa ideologjike që sundoj shumë gjatë në mesin intelektual shqiptar.

Në fjalën e rastit në akademi përkujtimore prof. dr. Nehat Krasniqi theksoj faktin se zhvillimi i arsimit dhe kulturës në Gjakovë gjatë periudhës osmane nuk mund të merret me mend pa kontributin e familjes Kryeziu. Pinjollët e kësaj dere fisnike kanë ndërtuar pothuaj të gjitha objektet e kultit dhe të kulturës islame në Gjakovë, por jo vetëm. Nga kjo derë fisnike u dha kontribut material edhe për ndërtimin e kishë katolike “Shën Ndou” në Gjakovë.

 

Në emër të familjes Kryeziu, organizatorët me një fjalë rasti i përshëndeti dhe faleminderoi  laureati i çmimit “Shkrimtar i vitit 2014” i Pen Qendres Shqiptare, prof. dr. Ekrem Kryeziu

 

Në librin e tij “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”  vlonjati prof. dr. Bardhosh Gaçe, për Riza Beg Kryeziun, shkruan:

Gjakova Riza Bej lindi në Gjakovë në vitin 1847, në familjen e njohur të Kryezive, e cila dha kontribut të shquar në Lëvizjen Kombëtare dhe kryengritjet antiosmane të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, emri i tij u bë i njohur në luftimet kundër pushtuesve osmanë si një nga krerët e kryengritësve. Në qarkun e Gjakovës bënte pjesë në parinë e tij dhe ndihmoi nga afër për organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe zbatimin e vendimeve të saj. Tregoi zotësi në luftimet kundër ushtrisë osmane të komanduar nga Dervish Pasha në rrethinat e Prizrenit. 1) Në dokumentet e Lidhjes së Prizrenit si dhe në aktet e gjyqit

otoman shënohet se faji i këtyre krerëve ishte se kishin kërkuar ”krijimin e vilajetit të bashkuar shqiptar”! Midis tyre shkruhet se Zija beu nga Prishtina dhe Riza beu nga Gjakova u internuan në Urfe e më pas në Dijar Bekir, meq rast otomanët dy herë me rradhë ia dogjën kullat në Gjakovë.

Riza bej Kryeziu u përfshi në kryengritjet antiosmane të viteve 1910, 1912. Në kryengritjen antiosmane të Kosovës të vitit 1912 ai u shqua si organizator, luftëtar dhe prijës popullor. Në korrik zhvilloi luftime të ashpra në Llap e Boletin. Zëri i tij u dëgjua bashkë me Hasan Prishtinën në betejën e Klinës, ku u thyen keqas forcat osmane. Në gusht të vitit 1912 ishte i pranishëm në kuvendin e Ferizajt si përfaqësues i parisë së Gjakovës. Nga Ferizaj, drejt Shkupit, sipas kronikave të shtypit, kryengritësit shqiptarë udhëhiqeshin prej Riza beg Gjakovës dhe Bajram Currit. Në nëntor 1912 Riza Bej Gjakova u zgjodh delegat në Kongresin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Riza bej Gjakova mori pjesë në protestat që u organizuan në Vlorë kundër barbarizmave serbe e greke në trojet shqiptare”.Riza bej Gjakova ka patur rol vendimtar në shpalljen e pavarësisë në Vlorë i cili mbrojti më shumë se kushdo tjetër qeverinë e Vlorës dhe

si bashkëkomandant i policisë popullore me Isa Boletinin, i plagosur nga luftërat me Serbo-Malazezet u përlesh me fallangat e vorioepirotëve të Spiro Milos në Himarë e zona tjera shqiptare.Qeveria e Vlorës-struktura udhëheqëse e saj dhe ministritë[1] renditen emrat e ministrave me në krye kryeministrin Ismail Qemali dhe nën numrin 11. Komandantë të Policisë Popullore u zgjodhën Isa Boletini dhe Riza Bej Gjakova.

 

Riza Beg Gjakova në dokumente serbe

 

Në Raportet e Konsullatave të Mbretërisë së Serbisë, të cilat e përcjellin me vëmendje lëvizjet e tij dhe prijësve tjerë në Kryengritjen e fundit antiosmane të vitit 1912, Riza bej Gjakovën e gjejmë si nënshkrues të Memorandumit pesë pikësh (Memorandumi i katërt shqiptarë) i cili kërkonte 1. Guvernatorin shqiptar dhe gjuha shqipe në gjykata; 2. Shërbimi i regrutëve në krahinat e territorit shqiptar; 3. Shkollat shqipe me alfabetin latin; 4. Nëpunësit me origjinë shqiptare dhe 5. Zvogëlimi i tatimeve.

Nënshkrimet janë me këtë radhitje: Riza nga Jakova, Hasani nga Vushtria, Bajram Curri nga Gjakova…Isa Boletini etj.

-Me telegramin e djeshëm (8/21.VII- 29.VII/ 11.VIII),  pata nderin të ju informoj për masën e madhe shqiptare që tubohet rreth Prishtinës nga të gjitha viset e këtij vilajeti. Vetëm nga rrethina e Gjakovës mbërrin dhjetë mijë shqiptarë të udhëhequr nga Riza beu, Bajram Curri, Ahmet bej Gjakova dhe Bajram Daklani…

-Udhëheqësit e kryengritësve, 31 sosh, ndër të cilët fjalën kryesore e kanë :Riza Beu, Hasan Beu, Isa Boletini, Jahja Aga, Musa Efendiu, gjenden në Llapnosellë.[2]

-Sot në mëngjes (7/20.VIII-20.VIII/2.IX), ju lajmërova me telegram, për largimin shqiptarëve nga Shkupi në viset e sipërme. U përgatiten disa trena dhe të gjithë shqiptarët u mblodhën në stacion bashkë me bajraktarët dhe bejlerët e tyre që u sistemuan në trena. U larguan të gjithë shefat: Riza Beu, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj. Në stacion nuk ishte vetëm Hasan Beu për të cilin më thanë se mbeti në Shkup…

-Nga shpërndarja e armëve janë më pak të kënaqur tribunët e popullit, Isai (Isa Boletini), Riza (Riza Beg Gjakova) dhe Curri (Bajram Curri), të cilët e paraqesin vetën si mbrojtës të vërtetë të popullit.

-Si përgjigje e propozimit të grofit Berthold mund të konsiderohet telegrami që Riza Beu, Bajram Curri dhe Boletini i drejtuan pardje vezirit, ku ofrojnë të shkojnë në Mal të Zi dhe të “mbrojnë unitetin e atdheut nga agresorët e jashtëm”.

Në Luftën e Parë Ballkanike “në truallin e Kosovës nuk kishte asnjë betejë (Bën përjashtim vetëm beteja e Riza Beg Kryeziut me të birin Rad beg Kryeziu dhe Bajram Currin, betejë që u zhvillua afër Plavës dhe në Gjakovë, dhe ajo e Beranës, e cila u udhëhoq nga Bahri beg Mahmudbegolli dhe Hasim beg Mahmudbegolli). Ushtria serbe (edhe ajo malaziase) lirisht hynte në qytete dhe bënte pacifikimin.” Tërë këtë cirk e xhironin kameramanët duke i dërguar

 materialet e tyre  në Europë.

 

Riza bej Gjakova në dokumente franceze

 

Janë me interes Dokumentet Franceze për Shqipërinë dhe Shqiptarët më 1912, dokumente këto që hedhin më shumë dritë në përpjekjet e Riza Beg Kryeziut – Gjakovës.

Do t’i sjellim këtu ashtu siç janë shkruar nga Konsulli i Francës në Shkup, P. Karle.

Raporti i datës 07 qershor 1912 flet mbi sulmin mbi Pejën nga Forcat kryengritëse shqiptare:

“Natën e 31 majit duke u gdhirë 1 qershori, shqiptarët kanë sulmuar Pejën: luftimi ka vazhduar tërë natën. Të shtunën, më 1 qershor, gjatë ditës ka pasur disa ndeshje të vogla pa rëndësi, por nga ora 9 e mbrëmjes, rreth 20.000 shqiptarë, gjysma  e të cilëve ishin të armatosur me “mauzerë” dhe pjesa tjetër me revole, sulmuan garnizonin e Pejës dhe depërtuan deri në Bellopojë. Trupat osmane reaguan energjikisht; prej orës 9 deri më 11 të mbrëmjes u hodhën rreth 70 predha topi, ndërkohë që mitralozat qëllonin pa pushim. Ka pasur shumë të vrarë e të plagosur si nga njëra palë, ashtu edhe nga pala tjetër. Gjatë luftimit, shtëpitë përreth kishës serbe, që ndodhet çerek ore larg qytetit, u shkatërruan,  dy xhami u dogjën. Trupat osmane të mbrojtura mirë në llogore u shkaktuan kryengritësve shqiptarë humbje të konsiderueshme”

Në raport më tej thuhet: “…rrethuesve të Pejës, të cilët komandohen nga Riza Begu agjutant nderi i Sulltan Hamitit, dhe Bajram Curri, kolonel në ushtrinë osmane u kishin ardhur në ndihëm si përforcim shqiptarët e Istogut.

Në raportin e Konsullit francez në Shkup të datës 27 qershor 1912, flitet mbi angazhimin e një ushtrie të madhe osmane, siç ishin: Divizioni i Këmbësorisë i Stambollit,  përreth Gjakovës , Pejës, Urës së Shenjtë.

Një batalion dhe ca topa që ishin angazhuar në kodrat ndërmjet Pejës dhe Gjakovës. Në Junik, ku ishin mbledhur prijësit shqiptarë, dy batalione… në Zylfaj, Morinë, Krumë; përforcimet nga Prizreni, batalione të angazhuara në Carralevë, Runik, përgjatë rrugës Mitrovicë-Pejë, në Klinë dhe Gurakoc. Praktikisht në të gjitha çerdhet e lëvizjes kryengritëse! Në këtë raport Hasan Beu (Hasan Prishtina), konsiderohej nxitës kryesor i lëvizjes. Në këtë kohë Riza Beg Gjakova ishte në Ponoshec bashkë me Hasan Prishtinën. Ismail Fazil Pasha i kthen negociatorët për bisedime, Mehmet Pashë Tetovën dhe Hoxhë Saidin, duke i refuzuar me pretekst se “s’kishte ç’i duheshin negociatorët si ata!”

Konsulli i Francës në Shkup, më 29 qershor 1912, shkruan nga Shkupi për MEMORANDUMIN e nënshkruar nga Riza Beu i Gjakovës, Hasan Beu i Vushtrrisë, Bajram Curri i Gjakovës, Isa Boletini i Boletinit etj…

Konstatohet se ky memorandum është njëfarë tërheqjeje në krahasim me kërkesat e dala nga Kuvendi i Junikut, ngase kryengritja rrezikonte të dështonte.

 

Raporti i Konsullit Francez në Shkup, Karle, i datës 6 korrik 1912:

“Për të ndëshkuar rebelët, autoritetet kanë sjellë në Shkup të burgosur në një han, gratë dhe fëmijët e krerëve kryesorë myslimanë shqiptarë që kishin dalë në mal: Vejushën e Myrteza Pashës së Prizrenit, gratë dhe fëmijët e Ahmet Beut, të Shaban Beut dhe Jahja Beut të Prizrenit, të Mahmud Zajmit e Ibrahim Zajmit të Pejës, të Qamil Beut të Prishtinës, të Bajram Currit dhe Riza Beut të Gjakovës…”

Në raportin e Konsullit Francez në Shkodër, L. Krajevski, që mban datën 7 korrik 1912, ku bëhet fjalë për situatën “më të fundit”, mes të tjerash, thuhet:

“E nisur në maj me sulme të rralla kundër trupave të vendosura në krahinat e Mjedës e Lezhës dhe e vijuar më tej me luftime në Korthpulë dhe Kallmet, kjo lëvizje u shtri në saje të bashkëpunimit të malësorëve të Bregut të Matit, myslimanëve të bregut të djathtë të Matit dhe atyre të Sanxhakut të Durrësit. Sot vazhdon të zgjerohet me hyrjen në skenë të shqiptarëve nga Gjakova, Puka, Dibra e Luma, ndihma e të cilëve u sigurua nga Riza bej Gjakova. Ky personalitet që më parë ka nisur djalin e vet në Orosh (Fjala është për Ali Beg Kryeziun, djalin më të madh të Riza Beg Kryeziut) për të hedhur bazat e një marrëveshjeje me mirditorët, ka pasur gjatë javës së shkuar në fshatin Shënmri (Zona e Urës së Vezirit) një bisedë me Marka Gjonin e Familjes së Kapedanëve dhe kushëri i Preng Pashës. Marrëveshja u përfundua shpejt dhe si shenjë e vullnetit të mirë, Marka Gjoni dërgoi dy nga nipat…”

Në Raportin e Konsullit të Francës në Shkup, nga Shkupi, më datë 17 korrik 1912, dërgohet një Memorandum i ri i krerëve shqiptarë, po nga ata që përpiluan Memorandumin paraprak, që e kishte dërguar Konsulli P. Karle me raportin e tij të datës 29 qershor 1912. (Këto Memorandume janë dhënë në “Dokumentet franceze…”, të cilat i zgjodhi, përgatiti dhe redaktoi prof. dr. Muhamet Shatri, Prishtinë 2004). Në këtë Raport, Konsulli P. Karle, në mes të tjerash, shkruan:

“Hasan Beu, kolonel Riza Beu (Riza Beg Kryeziu – Gjakova;) dhe bejlerët kryesorë, tanë ndodhën në Gjakovë dhe, në marrëveshje me oficerët e Divizioneve 1 dhe 21, i kanë dërguar telegram Sulltanit për t’i kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe dorëheqjen e gjithë Kabinetit. Posa mori vesh për këtë telegram, gjeneral Ismail Fazil Pasha urdhëroi gjeneral  Said Beun, drejtues i korpusit në Shkup, të mblidhte sot pasdite në Klubin Ushtarak të gjithë oficerët e Garnizonit të Shkupit dhe t’u kërkonte se cilët prej tyre ishin përkrahës të Qeverisë dhe cilët kundërshtarë.

“Në ditët e para të korrikut, Riza Beu (Riza beg Kryeziu) i solli kryengritjes në ndihmë shqiptarët e Lumës, të Dibrës dhe të Pukës”, shkruan Koloneli Mokorp, atashe ushtarak në Ambasadën e Francës pranë Portës në Stamboll. Kjo letër mban datën – Stamboll, 23 korrik 1912.

Në këtë letër kemi edhe shënimin:

“Isa Boletini, pas disfatës në afërsi të Mitrovicës, kaloi në Luginën e Llapit, e cila me thirrjen e tij u ngrit e gjitha në këmbë: duke iu bërë thirrje kontingjenteve të Hasan Beut dhe të Riza Beut (Hasan Prishtina, Riza Beg Kryeziu) ai arriti të grumbullonte rreth dhjetë mijë burra, me të cilët mund të nxinte Grykën e Kolonjës (?) duke izoluar në këtë mënyrë trupat që ndodheshin në Bodivat ”

Në shtesën e letrës së tij, ministri i Francës në Serbi, shkruan:

P.S. 29 korrik (1912-M.B.).

Nga lajmet që më vijnë prej Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme, gjendja vijon e qetë në Prishtinë. Shqiptarët duket se kanë deklaruar se nuk kërkojnë as heqjen e sulltanit, as shkëputjen e krahinave shqiptare prej Perandorisë Osmane. Komisioni i dërguar nga Konstantinopoja duket se është pritur mirë; krerët e ftuar për të biseduar me të kanë qëndruar në qytet, duke i shpërndarë çetat e tyre nëpër fshatra; delegatët nga Dibra, Manastiri e Luma po priten me padurim. Një gjendje paqësore mbretëron në gjithë ‘Serbinë e vjetër’, me përjashtim të Gjakovës, ku krerët lokalë Riza Beu (Riza Beg Kryeziu – Gjakova) e Bajram Curri japin shenja agresiviteti. Isa Boletini dhe krerët shqiptarë kanë hyrë qetësisht në Mitrovicë e Gjilan, ku janë pritur nga trupat osmane dhe kajmakami.

Flitet për disa trazira në Lezhë, Krujë e Durrës…”

Konsulli Francez në Shkup, P. Karle, më 29 korrik 1912 dërgon nga Shkupi raportin e tij të zakonshëm drejtuar Z.R. Puankare, Kryetar i Këshillit të Ministrave…, mes tjerash ai shkruan:

“Bajram Curri dhe Riza Beu (Riza Beg Kryeziu – Gjakova), që për momentin janë dy (…) më shumë njerëz, janë shkëputur nga Hasan Beu (Hasan Prishtina) dhe anojnë nga një veprim energjik i menjëhershëm, nëse nuk u plotësohen nga Komisioni shumica e kërkesave, kryesisht amnestia e përgjithshme, emërimi i një shqiptari si guvernator i përgjithshëm, dërgimi në Shqipëri i një shumice funksionarësh shqiptarë ose, të paktën, që të flasin shqipen, e cila duhet të jetë gjuhë zyrtare në rajon, së fundi shërbimi ushtarak rajonal…”

Konsulli Francez në Shkup, më 31 korrik 1912, i raporton Z.R. Puankare:

“Bajraktari Bajram Curri ka pushtuar Gjilanin më 28 korrik (1912). Ai ka hapur burgjet dhe ka liruar të gjithë të burgosurit. Me urdhër të bejlerëve tregjet janë hapur në gjithë Shqipërinë. Bisedimet me anëtarët e komisionit të dërguar nga Qeveria kanë filluar më 29 korrik pasdite në Prishtinë. Bajraktarët e mbledhur në këtë qytet dhe që marrin pjesë në bisedime, janë: Hasan bej Prishtina, Riza Beu i Gjakovës, Zejnullah Beu i Vushtrrisë, Xhemal Beu i Prishtinës, Idriz Seferi nga Gjilani, Mehmet pasha i Tetovës, Isa Boletini i Boletinit të Mitrovicës, Bajram Curri i Gjakovës, myftiu i Preshevës, Jahja Efendiu i Prizrenit. Këtyre bajraktarëve u duhen shtuar disa krerë nga Luma dhe nga Malësia e Gjakovës. Duhet vënë në dukje se ndërmjet kryengritësve ndodhen shumë katolikë të ardhur nga Malësia.”

Këto personalitete që u thanë më sipër nuk ishin “bajraktarë”, edhe pse secili kishte një ndikim në fiset shqiptare të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.

Kolonel Mokorp, atashe ushtarak në Ambasadën e Francës pranë Portës Osmane i drejtohet Ministrit të Luftës, nga Stambolli, me këtë raport:

Letra nr. 500, Stamboll 7 gusht 1912 – “…Ndërmjetës për palën shqiptare janë caktuar Hasan Beu nga Prishtina, Riza Beu nga Gjakova, Zejnullah Beu nga Vushtrria. Xhemal Beu nga Prishtina, Idriz Seferi  nga Gjilani, Mehmet Pasha nga Tetova, Isa Boletini nga Boletini, Bajram Curri nga Gjakova, myftiu i Preshevës dhe Jahja Efendiu nga Prizreni. Këtyre duhet t’u shtohen disa të parisë së Lumës dhe të Malësisë së Gjakovës, disa prej të cilëve përfaqësojnë katolikët.”

Raporti i Konsullit të Francës në Shkup i datës 31 korrik dhe ai i Kolonel Mokorpit, Atasheut Ushtarak në Ambasadën e Francës në Stamboll, i datës 7 korrik, për sa iu përket personaliteteve të caktuara për bisedime me anëtarët e Komisionit të Qeverisë, po sa e ardhur në pushtet, pajtohet plotësisht.

Konsulli Francës në Shkup raporton Ambasadorin e Francës në Stamboll, Bompar. (Aneksi III i letrës nga Shkupi, nr. 101) Aneksi mban datën 17 gusht 1912, në mes të tjerash, shkruan:

“…Sikur e njoftova Shkëlqësinë Tuaj me telegramin nr. 25 të datës 14 të këtij muaji, kolonat e komanduara nga Isa Boletini, Idriz Seferi, Riza Beu (Riza Beg Kryeziu –Gjakova) dhe Bajram Curri, që kanë 12.000 burra të armatosur me pushkë të mira dhe me një sasi fishekësh, hynë në Shkup më 13 e 14 gusht. Më datë 14 në orën 4 mbasdite, me urdhër të Isa Boletinit, shqiptarët hapën burgun e madh dhe 1.200 të burgosur që ndodheshin aty i lanë të lirë. Pashë disa nga këta të burgosur që dolën me pranga nëpër këmbë. Autoritetet nuk u bënë asnjë rezistencë çetave shqiptare dhe Valiu që sapo ka ardhur në Shkup është bërë meit nga frika dhe ka deklaruar se është krejtësisht i pafuqishëm. Çdo ditë vijnë çeta të tjera, këmbë ose me tren; dje erdhën me tren nga Ferizaj Marka Gjoni, kryetar i mirditorëve dhe Ibrahim bej Toptani, kryetar i bejlerëve të Tiranës. Shoqëroheshin nga 200 burra të armatosur.

Lidhur me gjendjen e bisedimeve që zhvilloheshin midis shqiptarëve dhe Qeverisë, është krejtësisht e pamundur të merren informata të sakta; çdo gjë është e errët dhe vetë krerët dukën si të paaftë për të saktësuar kërkesat e tyre. Sidoqoftë, kur u vendos për marshimin drejt Shkupit, pati mospajtim mendimesh midis bejlerëve. Bajram Curri, Riza Beu, Isa Boletini dhe Idriz Seferi donin t’i sillnin me çdo kusht njerëzit e tyre në Shkup, ndërsa Hasan Beu ka qenë gjithmonë kundër këtij plani dhe, për të protestuar, në vend që të vinte në Shkup, u nis për në Prishtinë te Komisioni…”

Fati i personalitetit të Riza Beg Kryeziut për historiografinë shqiptare, këtej e andej kufirit, mbet në sirtarët e të parëndësishmëve, i mbuluar me hirin e harresës, shumë rrallë emri i tij  futet në: … “e të tjerë”, gati gjithmonë i injoruar nga “historianët” e historisë sonë. Ishte nën embargo në tekstet e Historisë Kombëtare i përcjellë me gjithfarë epitetesh denigruese deri në “tradhtar i popullit” .

Bashkëkohësit e tij, dëshmitarë të besueshëm, dokumentet arkivore të arkivave që kanë një traditë të gjatë të ruajtjes së dokumenteve autentike, historianët objektivë e të pangarkuar me ideologji të dyshimta dhe politizuese për Riza Beg Kryeziun flasin dhe shkruajnë ashtu siç ishte ky njeri, shkruajnë ashtu siç veproi në planin e patriotizmit shqiptar…

Duhet përsëritur edhe një herë konstatimin e mësipërm për hir të një të vërtete të hidhur për historianët që shkruajnë historinë me detyra të dhëna shtëpie dhe për nevoja politike të matrapazëve politikë:

“…Për një kryengritje të re në Kosovë, kësaj radhe në Gjakovë, u kujdes Riza bej Kryeziu, një trim i çartur dhe i idhët, pasi ishte lidhur më parë në internim (në Sinop) me njëfarë dr. Riza Nuriun, një rebel profesionist – dhe me princ ? Sabahudinin, të birin i Damat Mahmud Pashës, dhe pasi ishte bashkuar me “Ahrarin”, partinë liberale që ishte për decentralizimin.

Bashkimi i ideve politike të këtyre dy burrave me vendosmërinë e Riza Beut për t’u hakmarrë ndaj turqve për internimin e tij dhe për shumë zullume të tjera, i dhanë shkas lindjes së një lëvizjeje të përgjithshme. Riza beu, shokët e tij të partisë dhe të mendimit, midis të cilëve gjendeshin Hasan Bej Prishtina, Seit Efendi Hoxha nga Shkupi, Bajram Curri dhe shumë krerë të tjerë të njohur, ndërmjet shumë të tjerash përhapën në popull edhe fjalën se armët që i kishin mbledhur me forcë në Shqipëri, turqit ua kishin shpërndarë bandave sllave në Maqedoni për të bërë kërdinë mbi shqiptarët e pambrojtur. Këto lajme ngritën në këmbë thuajse të gjithë popullsinë që u mblodh në çifligun e Danish Bej Gjinollit, në afërsi të Prishtinës. Por në dallim me më parë, kur kërkohej vetëm reforma dhe autonomi, kjo mbledhje, nën ndikimin e një pakice të udhëhequr nga plaku Riza Bej Kryeziu (Jakova), kërkoi madje të ngrihej flamuri shqiptar dhe me këtë flamur në krye të bëhej tani e tutje çdo betejë.

Me këtë akt mund të thuhet se lëvizja kombëtare e kaloi rubikonin. Forcave të Riza Beut filluan t’iu bashkohen tani edhe kryengritës nga Mali i Zi. Edhe pse në të vërtetë kjo shenjë e ndarjes përfundimtare me Turqinë vazhdonte ende të mos përkrahej nga shumica, ideja e mëvetësisë shqiptare po fitonte gjithnjë më shumë truall. Komandanti i Armatës së 3-të (me seli në Manastir), që kishte porosi t’i qetësonte shqiptarët, u dërgua nga qeveria të bisedonte me kryengritësit dhe t’i zbuste nëpërmjet premtimesh, por ashtu siç ishin nxehur kokat dhe zemrat, nuk mundi të arrinte asgjë.

Edhe një herë mijëra shqiptarë u nisën drejt Ferizajt. Rrugës numri i tyre u trefishua me luftëtarë prej Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut. Pas një sërë betejash të shkurtra ata kapërcyen Qafën e Kaçanikut dhe morën Shkupin [gusht i vitit (1328…hixhri (?) muaji gusht 1912]. Këtu pati edhe akte dhune, veçse aspak kundrejt popullatës, por për herë të parë kundër oficerëve turq të rinj…”

Riza bej Gjakova së bashku me Isa Boletinin ishin nismëtar të shpalljes së pavarësisë në Shkup siç pohon Fan Noli me 6 të vjeshtes së I të vitit 1912 në Gazeten Dielli, i cili vë nën akuz Ismajl Qemalin dhe Hasan Prishtinën, për të cilët shkruan se kur Riza beu dhe shokët e tij kërkonin autonomi, Hasan Prishtina kërkonte reforma për mbretnin otomane.

Riza bej Gjakova siç pohon Dhimiter Zografi-delegat i mërgates shqiptare nga Rumunia në shpallje të pavarësisë në kujtimet e tija fakton se Riza bej Gjakova ishte prijës i delegacionit Kosovar në shpalljen e pavarësisë në Vlorë i cili me nderime të rastit u pritë nga Ismajl Qemali duke parakaluar në krye të delegacionit i përcjellur nga Isa Boletini.

Visar Dodani, një nga figurat më të shquara historike të atdhetarizmit shqiptar në Rumani në vepren e tij “Memorjet e Mija” të botuar me 1930 në shtypshkronjen “Albania” të Konstancës thekson se Riza bej Gjakova shpall një proklamatë duke dëftuar (të vërteten se “turku na ve të vritemi vetëm për te, por ndonjë mirësi për shqipërinë si kujtohet ta bëjë)”  Në kaptinen e gjashtë të kësaj vepre, i paraprin teksti ”Nga arsimi në Kryengritje”

Publicisti i mirënjohur Kastriot Myftaraj e rradhit Riza bej Gjakovën mes 10 shqiptarëve me kontribute më të mëdha për kombin i cili mori përsipër t’u printe forcave të Lidhjes Shqiptare në mësymjen kundër sarajeve të kushërinit të tij Avdulla Pashës, bashkëthemeluesit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Myftaraj në shkrimin e tij spikat faktin se: Më tepër se qindra telegrame, peticione që iu janë dërguar fuqive të mëdha evropiane para dhe pas Kongresit të Berlinit me 1878,nga të gjitha trevat shqiptare,me të cilat kërkohej që të bindej Evropa se kombi shqiptar ekziston ende dhe nuk ishte zhbërë nga shekujt e sundimit osman,duke u njësuar me turqit,më tepër se elokuenca e të dërguarëve shqiptar-rilindas kombëtarë në kryeqytetet evropiane,më tepër se fjalët e rilindësve tanë Abdyl Frashërit,Naim Frashërit,Pashko Vases, Sami Frashërit,Jani Vretos etj.se shqiptarët,pavarësisht se në pjesën më të madhe të tyre qenë konvertuar në fenë islame, megjithatë ekzistonin si një komb më vete brenda Perandorisë Osmane ishte vrasja e Mareshallit otoman Mehmet Ali Pashës në Gjakovë. Riza begu jo vetëm që shkrepi pushkën e parë,një nga të shtimet më të famshme në historinë kombëtare, por bëri të mundur pushtimin e sarajeve të Abdullah pashës dhe kapjen e marshallit otoman brenda 4 ditësh.

Më në fund, mu pas njëqind vjetëve (2012) dual sheshit e vërteta për Riza Beun si organizator, udhëheqës në luftëra kombëtare për çlirim dhe pavarësi. U dekorua me Urdhrin e Lirisë i cili i jepet personave për kontributin e tyre të lartë për liri të Kosovës. Kështu e vlerësoi veprimtarinë e Riza Beg Kryeziu Zonja Atifete Jahjaga, Presidente e Nderuar e Kosovës, më 28 nentor 2012 e për nder të cilit në 97 vjetorin e vdekjes dhe 102 vjetorin e shpalljes së pavarësisë shoqata e intelektualëve”JAKOVA” në patronatin e kryetarës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila e përkujtoj me këtë akademi:

Me dekorimin e këtij atdhetari presidentja Jahjaga nderoj Gjakovën (djepin e kësaj dere fisnike) nderoj Kosovën por mbi të gjitha e nderoj vetën për vlerësimin e kësaj figure emblematike.         .