.
×

Rexhepi: Populli shqiptarë është qenie humane, këtë e vulosi Nënë Tereza



Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Efendi Rexhepi, thotë se terrorizmi dhe masakrat janë aktet më të shëmtuara, veprime nga më të sanksionuarit nga ana e Allahut. Ai i quan të pa pranuara dhe kriminale veprimet e ISIS-it që po bënë në Siri dhe Irak, pasi sipas tij, nuk është gjë tjetër veç se akti kriminal që feja islame nuk e ka. Ndërsa thotë se në historinë e kombit shqiptarë nuk ekziston kurrfarë ngjarje që mund t’i ngarkojë me hipoteka masakrimi.

Rexhepi në një shkrim autorial KosovaPress, ka thënë se shqiptarët, sidomos ata në Maqedoni, me neveri i kanë refuzuar dhe i kanë demaskuar të gjitha sulmet antishqiptare që janë bërë në emër të fesë islame.

Ai thotë se në historinë kombëtare nuk ekziston kurrfarë ngjarje që mund t’i ngarkojë me hipoteka masakrimi, pasi në këtë aspekt, kombi shqiptarë është kristal i pastër, derisa terrori dhe masakra janë produkt i pretendimeve territoriale, janë produkt i politikave okupuese, nënshtruese, grabitëse, janë njëmendësi e shpirtit dhe trurit të sëmurë, ku sipas tij, kombi shqiptar kurrë nuk është futur në këto sfera antinjerëzore.

“Gjenetikisht, populli shqiptar shquhet si qenie humane. Po të ishte ndryshe, nuk do të mund të ishte protagonist i humanizmit më të lartë të historisë më të re, të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po të ishte ndryshe, nuk do ta gëzonte epitetin e popullit human që e vulosi ‘Nëna Terezë’ me misionin e saj njerëzor. Vetëm popujt human mund të shpërblehen prej Zotit Fuqiplotë me mrekullinë e të qenit tolerant fetar. Këtë virtyt kombëtar, këto ditë e përjetoi edhe vetë Papa Françesku, i cili ngeli i mrekulluar nga ajo harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare që e hasi në Shqipëri. Këtë model ua preferoi mbarë njerëzimit në botë”, thotë Rexhepi.

Ai ka shtuar se terrorizmi dhe masakrat janë aktet më të shëmtuara, veprime nga më të sanksionuarit nga ana e Allahu xh.sh. Sipas tij, dënimi me vdekje, si akt ndëshkues, është i pranishëm në shumë shtete, në shumë sisteme, si akt ndëshkues haset edhe nëpër fe dhe religjione, pra, edhe në fenë islame.

“Allahu i Gjithëpushtetshëm në Kuranin Famëlartë thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh (93, En Nisa) Aktet makabre, të përditshme, që po ndodhin nëpër viset arabe janë, thjesht, vrasje me qëllim, të cytura nga interesat meskine, nga motivet djallëzore, nga planet që i kap vetëm defteri i Satanës. Allahu është i zemëruar dhe i ka mallkuar të gjithë ata që përfshihen në të tilla plane vrasjesh e masakrimesh të qëllimta. Kush dyshon në këtë ajet kuranor nuk është i fesë islame, siç nuk është i kësaj feje as ai i cili mund të dyshojë edhe në këtë ajet kuranor: “…kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve…” (32, El Maide)”, shtoi Rexhepi.

Sipas tij, është akti kriminal dhe i papranueshëm të vritet njeriu në emër të fesë, sepse këtë nuk e ka lejon Allahu.

Rexhepi ka përmendur edhe fjalimin e presidentit amerikan Barack Obama, i cili ka thënë se SHBA nuk do të jetë kurrë në luftë me islamin, por ISIS-i duhet të shkatërrohet.

Ai shtoi se asnjë fe nuk mëson terror e masakër, derisa terror e masakër është edhe lëndimi i ndjenjave fetare të pjesëtarëve të cilësdo fe.