.
×

Rexhep Qosja merr në mbrojtje terroristët e arrestuar



Akademiku Rexhep Qosja ka komentuar arrestimet e fundit në Kosovë për terrorizëm. Ai ka thënë se është kundër thirrjeve për të shkuar në luftë në Siri. Megjithatë, ai thotë se arrestimet janë të paargumentuara. Qosja merr edhe një shembull nga Shqipëria.

Sipas tij, me të njëjtat akuza mund të arrestohej edhe Maks Velo për deklaratat ndaj myslimanëve dhe veriorëve. “Unë, si intelektual me bindje demokratike, që mbroj me shkrim prej shumë kohësh, i arsyetoj burgosjet e gjithë atyre që në çfarëdo mënyre financojnë dërgimin e shqiptarëve në luftën e ISIS-it në Siri e në Irak apo kudo tjetër, por nuk i arsyetoj burgosjet për shkak të të ashtuquajturit indoktrinim fetar.

Shpjegimet e para me të cilat u arsyetua burgosja e imamëve dhe e një numri nga ata 42 shqiptarët e burgosur para tyre bazoheshin në indoktrinimin: kanë nxitur, u tha, mosdurimin fetar e kombëtar; janë marrë me ekstremizëm fetar; disa janë marrë edhe me terrorizëm. Jemi mësuar të na burgosin Rankoviçi dhe Millosheviçi, me Ali Shukrinë, Kolë Shirokën dhe Sinan Hasanin për indoktrinim nacionalist dhe irredentist, por nuk kam pritur se shqiptarët edhe në demokraci do të burgosen për indoktrinim: tani për indoktrinim fetar!

E dëgjova akuzën për burgosjen e kryetarit të LISBA-s, Fuad Ramiqit, të cilin nuk e njoh sepse nuk e kam takuar kurrë, me ç’rast u tha se ai po burgosej për shkak se po ftonte për rezistencë! Kaq. Nuk u tha për çfarë rezistence dhe kundër kujt rezistencë. Jemi mësuar që në Jugosllavinë komuniste të na burgosin Rankoviçi, Millosheviçi, Ali Shukria, Kolë Shiroka dhe Sinan Hasani për protesta, demonstrata, greva, që i quanin rezistencë kundër Jugosllavisë.

Adem Demaçi, unë e disa veprimtarë të tjerë politikë, pas rënies së komunizmit kemi kërkuar rezistencë aktive, madje luftë kundër pushtimit serb, po Millosheviçi nuk na ka burgosur. Thirrjet tona për rezistencë, luftë quheshin delikt verbal, që s’trajtohej vepër penale pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Por nuk kam pritur që në Kosovën e quajtur demokratike do të burgoset ndonjë shqiptar a qytetar tjetër për thirrje gojore për rezistencë. Ku jetojmë ne? Në Kosovën demokratike, qoftë edhe rurale demokratike, apo në Kosovën komuniste?

Arkitekti a piktori a skulptori, Maks Velo, më shumë herë deri tani, ka shprehur mosdurimin e tij, në të vërtetë urrejtjen e tij të tejskajshme ndaj shqiptarëve të besimit mysliman dhe shqiptarëve të Veriut! Por, asnjë zyrtari, në Shqipëri, nuk i ka shkruar dhe nuk i shkon mendja të kërkojë burgosjen e tij për atë delikt foljor. Natyrisht, mos e thëntë Zoti, të më shkojë as mua mendja për burgosjen e tij”, ka thënë ai për “GSH”.