.
×

Rektori Zejnullahu: Listat po verifikohen, një numër është pranuar



Rektori i Universitetit publik “Hasan Prishtina” përmes një sqarimi bën të ditur se është duke vazhduar verifikimi i listës së shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së për regjistrim në këtë universitet, nëse kishte keqpërdorime për futjen në të edhe të kandidatëve që nuk vijnë nga këto kategori.

Në sqarim thuhet: “Lidhur me kronikën e emetuar në lajmet qendrore të RTK-së të dt. 3 dhjetor 2014 për keqpërdorimet e mundshme me listat e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP), konfirmon se është në proces të verifikimit të fakteve dhe se ka vështirësi që të sigurohen dëshmitë përkatëse për një numër të kandidatëve, ashtu siç është raportuar edhe nga RTK.

Sido që të jetë, do të vazhdohet me verifikimin e kandidatëve dhe opinioni do të njoftohet me rezultatin përfundimtar të këtij procesi. Edhe një herë rikujtojmë se në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së janë regjistruar 129 kandidatë. Nga ky numër, 79 janë regjistruar sipas listës së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në përputhje me kërkesat minimaliste të Konkursit në njësitë akademike ku ka pasur provim pranues. Në njësitë akademike ku nuk ka pasur provim pranues janë regjistruar të gjithë aplikantët e kësaj kategorie.

Ndërkaq, në konkursin plotësues, janë regjistruar 50 fëmijë të kësaj kategorie që kanë përfituar nga 5 pikë me rastin e aplikimit, sipas vendimit të Senatit të UP. Për realizimin e kësaj përparësie, janë kërkuar dëshmi të cilat janë lëshuar gjithashtu nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

Prandaj, nuk janë të vërteta pohimet se ka pasur regjistrime të kandidatëve të kategorive të luftës që nuk janë në listën e Shoqatës së përmendur. Verifikimet për të cilat është raportuar kanë të bëjnë pikërisht me kandidatët nga lista e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe vetëm nga afati i parë i provimit pranues.