.
×

Rekrutimi i xhihadistëve të ISIS, dosja italiane e dy familjeve shqiptare



Dërgimi i Idajet Balliut në Siri për të luftuar në krah të ISIS dhe më pas për të mbetur i vrarë, duket se është mundësuar nga Alban Elezi, 38-vjeçari nga fshati Rrakull i Kavajës, i arrestuar pak ditë më parë për llogari të drejtësisë italiane.

Top Channel ka siguruar vendimin e Gjykatës së Breshias në Itali për arrestimin e Alban Elezit dhe nipit të tij Elvis Elezit. Në dosje përmendet një shtetas tjetër po nga Kavaja, për të cilin nuk ka urdhër arresti. Sipas dosjes, të cilën e ka siguruar Top Channel, shtetasi italian me origjinë marokene, El Abboubi Anas, më datë 6 dhjetor 2013 ka udhëtuar nga Bari në Durrës, ku ka qëndruar vetëm 5 orë. Nga përgjimet telefonike rezulton se gjatë gjithë udhëtimit, Anas ka folur me Alban dhe Elvis Elezin.

“Roli i Alban Elezit dhe Elvis Elezit qartësohet falë informacioneve të ardhura në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila ka kryer hetime të vazhdueshme për rekrutimin dhe dërgimin e të rinjve myslimanë për të luftuar në Siri. Autoritetet e drejtësisë shqiptare komunikuan që një i ri i identifikuar si Idajet Balliu ka mbetur i vrarë gjatë luftimeve në Siri, më 15 gusht 2014. Idajet Balliu është nisur në drejtim të Sirisë nga aeroporti i Rinasit më datë 8 dhjetor 2013. Rezulton se Alban Elezi është pjesë e së njëjtës linjë familjare me Idajet Balliun, duke qenë se është kunati i tij, burri i motrës së Idajetit”, thuhet në dosje.

Në dosje theksohet madje se edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Balliu kanë tentuar të shkojnë në Siri. “Vëllezërit e Idajetit, Hasan dhe Servet Balliu, kanë tentuar të shkojnë në Siri për t’ju bashkuar ISIS-it. Hasan Balliu ka deklaruar se është shoqëruar në aeroport për t’u nisur drejt Turqisë e më pas drejt Sirisë, më datë 13.04.2014 nga Alban Elezi, bashkëshorti i motrës së tij. Po më këtë datë, oficerët e antiterrorit në Shqipëri identifikuan Albanin. Edhe vëllai tjetër, Servet Balliu, është ndaluar më 31 gusht 2014 në aeroportin e Tiranës, teksa tentonte të nisej drejt Stambollit”, shkruhet më tej në fashikujt hetimorë të drejtësisë italiane.

Servet Balliu u ka deklaruar hetuesve shqiptarë se më 25 korrik 2014 ka mësuar se vëllai i tij, Idajeti ishte vrarë në Siri, duke luftuar në brigadën e Lavdërim Muhaxherit. Pasi Balliu kishte shkuar në Siri dhe ishte bashkuar me Muhaxherin, ai kishte tentuar të merrte edhe dy vëllezërit, të cilët u ndaluan në Rinas. Por ai ka mundur të marrë dy prindërit e tij.

“Sipas Servetit, vëllai i tij Idajeti, i kishte treguar se në të njëjtin grup në të cilin ai luftonte ishte dhe Shqyri Kaca nga fshati Dragostunjë i Librazhdit dhe fëmijët e tij, Saimir Kaca 20 vjeç, Zejdi Kaca 18 vjeç dhe Enea Kaca 13 vjeç”, saktësohet në dosje.

Por autoritetet italiane provojnë dhe një tjetër fakt, atë të konflikteve familjare mes Alban Elezit dhe vëllait të tij të madh, Idajet Elezi, pasi ky i fundit e konsideronte përgjegjës Albanin për radikalizimin e vajzës së tij 16 vjeçe dhe gjithashtu për lidhjen sentimentale që ajo kishte me Idajet Balliun.

“Radikalizimi i një pjese të familjes shfaqet gjatë bisedave që Idajet Elezi kishte me persona të tjerë, duke i shprehur se vajza e tij i quante prindërit e saj “njerëz të pafe”. Ndërkaq, Idajet Elezi nënvizonte se ishte i bindur se po të ishte ende gjallë Idajet Balliu, vajza e tij do të bashkohej me të në Siri për të ndjekur traditën e grave që i bashkoheshin bashkëshortëve apo të dashurve të tyre në luftë”, vijon dosja.

Bashkëpunimi mes radikalëve nga Shqipëria me ata nga Kosova nuk ishte vetëm në radhët e ISIS-it. Më 25 nëntor 2011, në Synej të Kavajës, Imami i Prizrenit Mazllam Mazllami, i arrestuar në janar 2015 në vendin e tij për këtë akuzë, kishte zhvilluar një takim me besimtarët myslimanë të këtij fshati. Ndërkohë, nipi i të arrestuiarit Alban Elezi, Elvis Elezi, që jeton në Itali, kishte nisur rekrutimin e të huajve në këtë vend. Ai kishte përpunuar për të nisur në Siri një minoren nga Tunizia.

Gjatë një telefonate të 23 marsit 2014, Elvisi i kishte thënë xhaxhait të tij se ishte gati një tjetër vëlla për t’u nisur atje, duke iu referuar gatishmërisë së adoleshentit tunizian. Me minorenin tunizian ka shkuar të takohet edhe Alban Elezi, i cili ka udhëtuar enkas por pa mundur dot të arrijë në destinacion. Ndërkohë që sipas prokurorëve italianë, Elvis Elezi ka zhvilluar një propagandë të ngjeshur islamike në shërbim të ISIS-it në rrjetet sociale.

“Siria është një tokë e shenjtë e zgjedhur nga vetë Allahu, ndërsa luftëtarët që luftojnë dhe vriten atje janë martirë të Allahut”, shkruante ai në profilin e tij.

Prokurorët italianë mendojnë se Alban Elezi, i cili ndodhet në arrest në Tirane, dhe nipi i tij, i arrestuar në Itali, janë një potencial vërtet i rrezikshëm.

“Të dhënat e mësipërme provojnë aktivitetin e rekrutimit nga ana e Alban Elezit, që ka peëfshirë të gjithë familjen Balliu, dhe që shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar, me ndihmën në Itali të Elvisit dhe kontakteve të vazhdueshme me luftëtarët në Siri”, thuhet më tej në dosje.