.
×

Reagim i degës së LDK-së në Istog



Botapress, 12 Tetor

Deklaratat e disa kandidatëve për Kryetar të Komunës së Istogut të bëra gjatë debateve zgjedhore në media publike dhe private e posaçërisht në emisionin “Tribuna Zgjedhore” të televizionit “Tribuna Channel”, kundër kryetarit të Komunës së Istogut, z. Haki Rugova i cili rikandidon edhe për një mandat në krye të kësaj komune, janë shpifje dhe deklarata të pabaza të cilat kanë për qëllim mohimin dhe minimin e sukseseve të arritura si dhe cënimin e vlerave morale të Kryetarit Rugova,të cilat janë të dëshmuara dhe të vlerësuara nga qytetarët e Komunës së Istogut.

Mungesa e programeve konkrete për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Komunës së Istogut, nga ana e z.Gani Dreshaj dhe z. Arif Elshani, po i shtynë këta kandidatë që të shërbehen me gjuhën e shpifjes, thashethemeve, linçimeve dhe të të pavërtetave ndaj qeverisjes së suksesshme të kryetarit Rugova dhe bashkëpunëtorëve te tij.

Dega në Istog e Lidhjes Demokratike të Kosovës i fton kundërkandidatët e z. Haki Rugova, pra, z. Gani Dreshaj dhe z. Arif Elshani, që të heqin dorë nga shpifjet dhe akuzat e pabaza dhe të ballafaqohen me ofertat konkrete për mirëqenien e qytetarëve, ndonëse për shpifjet e tyre të deritashme ndaj Kryetarit Rugova dhe familjes se tij do të ballafaqohen me organet e drejtësisë.

Kryetari Rugova i fton oponentët e tij politikë që të jenë korrekt në debatet politike, më të matur në diskursin e tyre publik dhe mos ta shfrytëzojnë mospraninë e tij në ndonjë debat për të shpifur e akuzuar pa bazë, sic kanë bërë deri më tash, dhe për të cilat gjëra të dy kundërkandidatët do të denoncohen në organet e shtetit.

Njëkohësisht, Dega në Istog e LDK-së, shprehë shqetësim për paragjykimet e moderatorit të emisionit “Tribuna Zgjedhore”, z. Menduh Abazi për mospraninë e kryetarit Rugova në debat.

Sqarojmë opinionin publik, në veçanti, qytetarët e Komunës së Istogut se Kryetari Rugova, në kohë e kishte njoftuar stafin e emisionin “Tribuna Channel”, për mos pjesëmarrjen në emision, për shkak të agjendës së paracaktuar kohë më parë për tubim në fshatin Gurakoc. Kryetari Rugova, asnjëherë nuk i frikësohet ballafaqimit me kundërkandidatët, ashtu siç e ka paragjykuar pa të drejtë moderatori në fillim të emisionit.

Dega në Istog e LDK-së i bën thirrje Prokurorisë që të jenë në nivelin e detyrës dhe t’i trajtojnë sipas ligjit të gjitha deklaratat e kandidatëve në debatet publike.

I bëjmë thirrje anëtarësisë dhe gjithë qytetarëve që të mos bien pre e këtyre lajmeve dhe deklaratave te rrejshme, sepse askush më mirë se istogasit nuk i njeh kandidatët për kryetar të kësaj komune. LDK ka Platformën për Qeverisjen Lokale, program të qartë për përmirësimin e jetës së banorëve të Istogut dhe me përkushtim do të punojë çdo ditë për jetësimin e këtij programi në të mirë të të gjithë banorëve të komunës.