.
×

Rasti I Azem Sylës në dorë të vendorëve përkundër akuzave se gjatë hetimeve u korruptuan gjyqtarë



 

Në dosjen e prokurorisë ndaj Azem Sylës në rastin “Toka”, pretendohet se të gjitha hallkat i sitetimit të rendit dhe ligjit ishin vënë në funksion të grupit. Gjykatësi Faik Hoxha e kryetari i Gjykatës Komunale Nuhi Uka, në atë kohë, akuzohen për marrje ryshfeti për të mbyllur hetimet ndaj grupit të Azem Sylës. Ndërkaq sot, EULEX-i e transferoi këtë lëndë të gjykatësit vendorë për gjykim.

Rasti i Azem Sylës në dorë të vendorëve përkundër akuzave se gjatë hetimeve u korruptuan gjyqtarë

Gjykatësi i EULEX-it, Petko Petkov, gjatë seancës së sotme kundër Azem Sylës dhe të tjerëve, në rastin e njohur si “Toka”, ka thënë se kjo lëndë nuk do të jetë më në dorë të EULEX-it por se ajo do të kaloj tek gjyqtarët vendorë.

Grupi i Azem Sylës, dyshohet se kishte arritur që ndikimin e vet me anë të ryshfetit, kërcënimeve e frikësimit, ta shtrijë në Agjencinë Kosovarë të Privatizimit, në Gjykatën Komunale të Prishtinës, në polici, dhe në Prokurori.

Gjykatësi Faik Hoxha e kryetari i Gjykatës Komunale Nuhi Uka, në atë kohë, përmenden nga Prokuroria  për marrje ryshfeti për të mbyllur hetimet ndaj grupit të Azem Sylës.

Në dosjen e prokurorit të EULEX-it, Danillo Ceccarelli, i cili sot gjatë seancës e kundërshtoi fuqimisht vendimin e EULEX-it  transferimin e e lëndës të vendoret, përmendet se si ish-gjykatësi, Faik Hoxha ishte korruptuar nga grupi i Azem Sylës për të mbyllur hetimet ndaj tyre.

Në dosje thuhet se Hoxha kishte marrë 20 mijë euro ryshfet, për të mbyllur rastin duke mos e hetuar Nuhi Ukën gjatë kohës sa ishte kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Dyshimi konfirmohet nga një përgjim telefonik në mes të Fahredin Gashit dhe Shpresim Ukës.

Ndërkaq kontributi i Nuhi Ukës, sipas prokurorisë,  për suksesin e veprimtarisë “kriminale të grupit” ishte i rëndësishëm për shkak se ka garantuar se sa herë që është e nevojshme një ndërhyrje e Gjykatës, do ta bënte me shpejtësi dhe pa probleme.

Faik Hoxha, nga viti 2013 ishte Udhëheqësi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, deri vitin e kaluar kur dha dorëheqje nga kjo pozitë si dhe ajo e gjyqtarit.

Azem Syla dhe grupi i tij akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Këto veprime sipas prokurorisë janë bërë me anë të vendimeve të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara, duke shpronësuar prona të shtetit në vlerë prej 30 milionë eurosh.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona. Azem Syla, ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-deputet akuzohet nga prokuroria Speciale e Kosovës si udhëheqës i grupit.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.