.
×

Ramiz Lushaj: Historia përseritet, o Besnik Bajraktari !



 1.
Atë ditë të 1 gushtit 2016 kur Besnik Bajraktari i Shipshanit shtrengonte miqësisht dorën me ShTij, Bujar Nishani – President i Republikës së Shqipërisë, aty, tek restorant “Krojet” në Vuthaj të Gucisë, po mendoja diçka tjetër: Historia përseritet…në kohë, vende e mënyra të ndryshme.
2.
Stërgjyshi i tij, Din Bajram Bajraktari, i pari bajraktar i Shipshanit, i cili kishte lidhje të mira me Vezirin e Shkodrës, Mustafa Pashë Bushatlliun dhe me dyert e mëdha të Kryezinjëve në Gjakovë e Begollëve në Pejë, ka marrë pjesë me forca ushtarake vullnetare të bajrakut të vet edhe në disa luftëra në vitet 1852-1854, më 1867 dhe 1872-1875 në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare në Plavë-Guci e deri në Moraçë.
3.
Tjetri stërgjysh i tij, pasardhës trashëgues i bajrakut të Shipshanit, Bek Din Bajraktari, me një përfaqësi të bajrakëve të Malësisë së Gjakovës me Rekë e Gjakovë, Pejë e Rugovë, në tetor 1879, në Qafë të Çakorrit, në një takim zyrtar me vojvodë Teodor Milanin e Vasojeviçëve – përfaqësues i dërgatës të Krajl Nikollës së Malit të Zi, e kundërshtoi aneksimin e Plavë-Gucisë nga Mali i Zi, kundërshtoi vendimet e Kongresit kundërshqiptar të Berlinit dhe i shpallën luftë Principatës së Malit të Zi.
Bek Din Bajrami me mbi 200 luftëtarë nga bajraku i tij i Shipshanit, shkoi në Luftën famëmadhe  Nokshiq – Pepaj (4 dhjetor 1879-11 janar 1880) dhe luftoi në vijë të frontit tek Ura e vjetër e Limit në Nokshiq, përballë forcave ushtarake malazeze të komanduara nga Mark Milani i Kuçit dhe Teodor Milani. Lufta e Nokshiqit ishte parathania e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës.
4.
Dy bajraktarët e Shipshanit, babë e djalë, Din Bajram Bajraktari e Bek Din bajraktari, kanë pasë lidhje të afërta më figura të shquara e shtëpi të mëdha në Plavë-Guci, si me Ali Pashë Gucinë, Jakup Ferrin me vllazni, Mulla Jahën – kadiun e Plavës, Bali Demën e Martinajve, Shahmanët, e të tjerë.
5.
Gjyshi i Besnik Bajraktarit, i treti brez i bajrakut të Shipshanit, Tahir Bek Dini, së bashku me Riza Beg Kryeziun, Bajram Beg Currin e bajraktarë të tjerë të kazasë së Gjakovës, etj. me 3.000 forca vullnetare malësore, i prinë luftës së madhe kundër mbi 8.000 forcave malazeze të Divizionit Lindor të  prirë nga gjenerali agjutant, brigadieri serdar Janko Vukotiq e vartësit e tij ushtarak Radomir Veshoviq, Milija Nikoliq, Bogdan Vuçiniq e Gjuro Vushojeviq. Lufta u zhvillua më 15-18 tetor 1912 në Ultinën e Epërme të Limit, si në Visitor, Velikë e Majën e Liqenit të Plavës. Komandanti i Divizionit, gjenerali J. Vukotiç (asokohe ministër i Mbrojtjes e tevona kryeministër i Malit të Zi), më 21 tetor 1912, nga Gucia e pushtueme nga malazezët, i raportonte  mbretit Nikolla i Parë në Çetinë se “3 mijë shqiptarë të nahijes së Gjakovës …sulmonin çdo ditë batalionet tona…”.
            6.
I katërti brez i bajrakut të Shipshanit, Rrustem Bajraktari – djali i Tahir Bek Bajraktarit,  në fillim të nëntorit 1943, kur repartet çetnike të Veliçko Bojoviqit e sulmuan krahinën legjendare të Plavë-Gucisë, mori pjesë në luftë me një formacion ushtarak vullnetar të Shipshanit. Ai, duke u kthye hypur në kali shale për në qytetin e Plavës e kapin dhimbje të forta të zemrës, bie përtokë, pësoi dëmtime trupore dhe qëndroi për shërim tek familja Beshkoviq në Plavë. Ndrroi jetë në kullën e tij në Kasaj të Shipshanit. Mbeti në histori.
7.
Baba i Besnik Bajraktarit, Sali Tahir Bajraktari, asokohe drejtues në komunën e Becit të Gjakovës, në nëntor 1943, mori pjesë dhe në një përpjekje luftarake me çetnikët sllavë në Plavë-Guci. Ai e çoi në kullen e tyne në Kasaj të Shipshanit vllain e tij Rrustem Bajraktari, këtë martir të komb, dhe u përkujdesën për shëndetin e tij derisa ndrroi jetë pas disa ditësh.
8.
Juristi i njohur Besnik Bajraktari, administrator i një studioje juridike, shahist i nivelit ndërkombëtar (aktualisht zv.president i Federatës Shqiptare të Shahut), etj. është i pesti brez genetik i derës së madhe Bajraktari të Shipshanit që vjen në krahinën e Plavë-Gucisë.
Besnik Bajraktari i Shipshanit ka tri lidhje me Plavë-Gucinë: E para, lidhjet e dashurisë breznore për Kombin, ku bajraktarët e Shipshanit dhanë kontribute, kanë atribute, derdhen gjakun e tyre, etj. Tashti, Besnik Bajraktari vjen në udhën e të parëve të tij, vjen me historinë e tyre. E dyta: Besnik Bajraktari ka dhe lidhjet e tij të gjakut me Plavë-gucinë, pasi është dy herë nip aty: edhe tek Çelajt, edhe tek Ulajt e Vuthajve. E treta, Besnik Bajraktari ka edhe lidhjet e tij të tokës me Plavë-Gucinë, pasi aty, prej kaherit, ka një bjeshkë të vetën, të derës së tij.
Ndaj ftesa për Besnik Bajraktarin e Shipshanit në Manifestimin tradicional kombëtar “Mirësevini në Alpet Shqiptare, Vuthaj 2016” – në të njëzetin vit të organizimit të tij panshqiptar; takimi i tij i atyshëm me Presidentin e Republikës së Shqipërisë; prania në ditën e fundme të Festivalit Folklorik Kombëtar “Kënga e Vallja Shqipe na bashkon” – i zhvilluar për katër ditë në Plavë-Guci; nuk është rastësi, pasi historia përseritet ndër brezni, në gene e në kulla, në data e ngjarje, në jetët e trevat tona etnike shqiptare.