.
×

Ramiz Kelmendi ka disa fjalë për Demarkacionin



 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi ka komentuar çështjen e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, ku ka theksuar se LDK-ja nuk do të pengojë me asnjë veprim ratifikimin e marrëveshjes nëse Qeveria i ka votat.

“Ne gjithnjë kemi qenë korrekt dhe kemi pasur pajtueshmëri që nëse në Kuvend sillet marrëveshja e korrigjuar, ne do të votojmë pa asnjë hezitim, por, për marrëveshje të vjetër dhe letra të tjera mbështetëse për të ruajtur fytyrën, për pengesën 3 vjeçare, kjo gjë nuk kalon”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.

Sipas Kelmendit LDK-ja nuk është palë në këtë mes dhe nuk duhet të shihet si e tillë. Palë janë vetëm palët e koalicionit, thotë ai.

“LDK si parti institucionaliste, po ofron gjithnjë zgjidhje që e avancon pozitën politike të Kosovës, nuk po përdorë asnjë mjet jo demokratik, nuk po pengon mbarëvajtjen dhe sigurinë e seances, gjithnjë në funksion të përmirësimit të jetës dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve por edhe të levizjes së lirë të afaristëve në mënyrë që ekonomia jonë të gjejë treg në EU. Pra, me asnjë mjetë pozita dhe mediat mbështetëse të saj nuk duhet të mendojnë që të ndërtojnë palë në konflikt, për të dëmtuar pozitën dhe imazhin e LDK-së”, shkroi Kelmendi.

Kelmendi po ashtu ka përmendur edhe raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017 ku Kosova radhitet e 85-ta.

Ai ka thënë se sipas gjetjeve të IPK-së Kosova kësaj radhe shënon rënie në ranglistën e korrupsionit dhe krimit te organizuar për vitin 2017 dhe ky patjetër se është lajm tejet i mirë për vendin.