.
×

Ramije Ajdini: Rrugëtimi i femrës shqiptare nëpër shekuj



 

 

Si të gjithë popujt e Ballkanit por edhe më gjerë, edhe populli shqiptar ka historinë e tij të bujshme të krijuar me djersë gjak e sakrificë nëpër luftërat që i impononte koha, luftëra të ashpra, luftëra për asimilim apo mbijetesë. Në këto luftëra kur bëhej fjalë për liri a vdekje edhe femra shqiptare u vu përballë sfidave të kohës, njëherë kundër pushtuesit perandorak romak në luftë kundër të cilëve printe mbretëresha Teuta, pastaj atij otoman, nëse Franca mburret me femrën kryengritëse Zhan d’Ark, te shqiptarët ishin me dhjetëra si ajo, ishte Nora e Kelmendit, më vonë kundër mbretërisë SKS, për të mbrojtur trojet stërgjyshore me pushkë në dorë përkrah burrave ishte Shotë Galica dhe Sulltanë Qafa, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore femra shqiptare u radhitë kundër pushtuesve për të mbrojtur gjënë më të shtrenjtë Atdheun.

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e Jugosllavisë socialiste, femra shqiptare sidomos ajo e besimit fetar mysliman ngeli e izoluar për shkak të paragjykimeve që kishin ngelur nga pushtimi otoman por, me sjelljen e Kushtetutës së vitit 1974, kur populli shqiptar që jetonte në trojet veta në Jugosllavi fitoi statusin shtetformues si të gjithë popujt tjerë. Duhet përmendur se, me sjelljen e Kushtetutës së ‘74 për popullin shqiptar u hap dritarja e dijes dhe arsimimit, u themelua Universiteti i Prishtinës, dhe me këtë femrës shqiptare iu hapën dyert kah ardhmëria, andaj duhet të përmendim meritën e dy figurave politike të asaj kohe, të (sllovenit) Eduard Kardeljit dhe të (kroati) Vladimir Bakariq. Pas kësaj, shkollat dhe institucionet arsimore u mbushën me të rinj e të reja që ndiqnin rrugën e arsimimit dhe të kulturës, tani femra shqiptare ishte mjeke, mësuese, arsimtare, ekonomiste, juriste, pra, ishte zonjë e vetvetes.

Vetëm në Republikën e Maqedonisë femra shqiptare ngeli pas, ngase ndikonin rrethanat politike dhe bindja fetare e forcave të errëta pushtuese, të cilat popullin shqiptar e shihnin dhe e shohin edhe sot, si popull të dorës së dytë, këto forca haptas fyenin nënën dhe femrën shqiptare, duke e quajtur “lavatriçe” apo “makinë për të lindur fëmijë”, ajo nuk u fye por me krenari edukoi e rriti brezin e ri, e vetëdijshme se falë natalitetit dhe punës vetëmohuese do të arrijë t’i përballoj kohës së vështirë që i kërcënohej. Pas zhbërjes së Jugosllavisë të gjitha republikat u bënë shtete edhe Maqedonia, por edhe pas pavarësimit vuajtjet për shqiptarët nuk përfunduan, ujku ndërroi vetëm qimen ndërsa veset ngelën të njëjtat, bile edhe më të vrazhdët. Në çdo segment institucional të persekutuar të nëpërkëmbur, mirësjelljen dhe durimin tonë e merrnin si frikë, kështu që, më vitin 1994, populli shqiptar u detyrua të hap vatrën e vet private të dijes Universitetin e Tetovës, dhe në themelet e këtij institucioni të shenjtë arsimor si askund në botën e civilizuar u derdh gjak, u vra një student në mbrojtje të këtij institucioni, përsëri femra shqiptare ishte në ballë përkrah profesorëve dhe studentëve për të mbrojtur ardhmërinë për brezat e rinj që vijnë pas.

Sot, falë këmbëngulësisë dhe jo dëshirës së shtetit dhe pushtetit, femra shqiptare në Maqedoni ka bë hapa kolosal në të gjitha instancat shtetërore, janë me qindra mësuese, profesoresha, mjeke, ekonomiste,juriste dhe profesioniste të lëmive të ndryshme ku veprojnë edhe pse pengesat akoma ekzistojnë për ta penguar në hapërim me kohën.

Personalisht krenohem që vijë nga një mjedis me një të kaluar të errët e të hidhur, ndihem krenare, se jam mbesë e humanistes dhe nobelistes Gonxhe Bojaxhiu- shenjëtores Nënë Tereza, Asaj që kudo shkeli ifali botës dashuri dhe paqe. Krenohem që në zemrën e popullit tim ka vend për mbarë njerëzimin vetëm për paqe e lumturi, jo për urrejtje e konflikte.