.
×

Ramije Ajdini: Amaneti im…



Të lutem…! kur të vdes, mbi varr i thuaj dy fjalë!  Po pate mundësi merr dhe një lulëkuqe… vendose mbi ballë timin gëzimvenitur. Një pikë lot veç një, lësho mbi t’mia buzë!

Besoj se, kështu do t’më shuajsh etjen. Shpirt e buzë ka kohë që janë shkërmua, s’paku kësisoj ua hiq, ngjyrën e dheut…!

Ëndrra për t’bukurën qenka amanet i rëndë…! Këndo këngën e preferuar fushave kur të vish, Ku të presin lëndinat e gjelbëruara.

Ku mbjellë kam grurë e pemë sa isha e re Eja, të presin hijet e pemëve fërfëlluese, aty ku kaloje orët e vapës përcëlluese.

Le ta ledhatoj ballin aroma erëtrëndeline, te burimi i zanave nën ato degë lajthie. Kurdo që t’vish do të brofi në këmbë,

Si Orë legjendash kam për të të pritur, e t’ia marr këngës më zë shtojzovalle. A më dëgjon o diell…!!! Jam mbesa e motrës së Gjergj Elez Alisë;

Kurdo që t’vish…! Në sofër timen shtruar do ta kesh: buzëqeshjen… fjalën e besën. Unë, i përrulem madhështisë sate.