.
×

Rakiq: Kosova e ka mbështetjen e disave në BE për të mos e themeluar Asociacionin



Në një tubim në afërsi të urës së Ibrit, serbët në Mitrovicën e Veriut kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe Bashkimi Europian që të ndërmarrin masa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Liderët e Listës Serbe kanë akuzuar edhe Prishtinën edhe Brukselin për “heshtje” përgjatë 2000 ditëve që nga koha kur në prill të vitit 2013, ish kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, nënshkruan marrëveshjen për themelimin e këtij asociacioni me të cilin komunat me shumicë serbe do të merrnin kompetenca të zgjeruara në disa çështje.

“E dini mirë që në pesë vitet e kaluara kemi qenë të vendosur që problemet t’i zgjidhim në tavolinë, e jo në rrugë, që në rast të konfliktit, ne politikanët të jemi në ballë, e jo ashtu siç ka qenë dikur. Gjithmonë në ballë të popullit tonë dhe asnjëherë prapa tyre”, tha lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut

“Nga Europa nuk dëgjohet asgjë, ndoshta nga zhurma, 2000 ditë, 2000 gënjeshtra. Ne nuk do t’i falim këto gënjeshtra… Zotërinj nga Prishtina, nuk keni hyrë në këtë proces që të silleni sikur të jeni para një tavoline suedeze”, shtoi Rakiq.

Sipas Rakiq, shqiptarët e kanë mbështetjen e “disave në BE” për të mos e themeluar Asociacionin.

Ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, i cili është edhe Zëvendës Kryeministër i Kosovës, bëri thirrje që politikanët në Prishtinë “t’i ndalin justifikimet”.

“Bashkësia e Komunave Serbe nuk është institucion që do të kujdeset vetëm për serbët në komunat me shumicë serbe por edhe për serbët që jetojnë në Dukagjin dhe kudo ku jetojnë. Për këtë arsye, Bashkësia e Komunave Serbe është rast që në të ardhmen të ketë më shumë serbë në Kosovë”, tha Jevtiq.

“Bashkësia e Komunave Serbe për ne nuk është çështje politike, por jetësore dhe si e tillë ne sot e përçojmë një porosi të qartë se për ne, edhe si përfaqësues politikë të serbëve, se asnjëherë nuk do t’i keqpërdorim pozitat tona politike por do të luftojmë gjithmonë për atë që është jetë”, tha ai./Bp/