.
×

Qytetarë të shumtë dalin ta presin në aeroport Kadri Veselin pas kthimit nga Haga



Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Aeroportin “Adem Jashari”, për të pritur kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, pas kthimit nga Haga, ku është intervistuar nga Specialja.

Agim Xhemajli, ish-ushtar i UÇK-së, tha se Gjykata Speciale është formuar pas insistimit të Serbisë dhe Rusisë, për të njollosur pastërtinë e luftës.

Edhe Sheqir Osmani, tha se Specialja ka synim që ta dëmtojë luftën e UÇK-së.

Veseli pas intervistës para Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë tha se është shumë optimist se do të ketë paqe me Serbinë dhe se kjo do të arrihet shpejt.

Ai shtoi se gjenocidi serb në Kosovë ekziston edhe në dokumente u shpreh i bindur se kjo gjë nuk duhet harruar kurrë.

Veseli nuk ka treguar se në çfarë cilësie është intervistuar.

“Siç kam premtuar publikisht, sot jam paraqitur për intervistim. E kam përfunduar intervistën. Vitet 90-ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, d.m.th për gjenocid kundër popullit tonë”.

“Ne iu kemi kundërvënë, lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spatrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, ka thënë Veseli para gazetarëve.

Veselit i kishte ardhur ftesa për intervistim më 7 nëntor.