.
×

Qeveritë që nuk do t’i kemi: As “Thaçi 3”, as“Haradinaj 2” e as “Mustafa 1”!  



Duke parë nga afër zhvillimet politike, analistët politikë si zgjidhjen më të mirë i shohin zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.

 

 

Lirie Hajdari-Botapress 7 tetor

 

Sa më shumë që po kalojnë ditët, aq më shumë po thellohet kriza politike e institucionale në vend. Janë bërë tashmë më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve dhe liderët politikë e institucional ende nuk arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për krijimin e institucioneve të reja. Lideri i PDK-së Hashim Thaçi që nga zgjedhjet ka dalë fituese po do që me çdo kusht postet kryesore t’i mbajë për vete, përderisa partitë tjera të bashkuara në një koalicion LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje po synojnë që si shumicë që janë të marrin nën udhëheqje institucionet e vendin. E gjithë kjo mosmarrëveshje ndërmjet liderëve politik ka bërë që  jo vetëm të mbetemi pa institucione tash e sa muaj, por ka detyruar edhe presidenten e vendit që të marrë përsipër gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e kësaj situate. E para e shtetit ka ftuar disa herë në takime krerët politikë, por pa ndonjë rezultat. Asnjë nga liderët nuk duan të lëshojnë pe, dhe secili nga ta po synon të ngjitet në majat e pushtetit.

Thaçi, duke qenë fitues i zgjedhjeve të qershorit po kërkon qeverisjen “Thaçi 3”, përderisa Haradinaj i cili në vitin 2004 e kishte lënë pushtetin në gjysmë për shkak të aktakuzës së ngritur ndaj tij, po kërkon që edhe njëherë të vije në pushtet.

Por, e gjithë kjo bllokadë nuk po mund të zgjidhet për shkak të kryeneçësisë së liderëve politikë. E deri në zgjidhjen e këtij ngërçi nuk dihet nëse do të kemi qeverisjen “Thaçi 3”, “Haradinaj 2” apo “Mustafa 1”.

Duke parë nga afër zhvillimet politike, analistët politikë si zgjidhjen më të mirë i shohin zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.

“Mu më duket se Kosova po shkon në drejtim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sepse pa marrëveshje politike mes blloqeve nuk do të ketë zgjedhje të Qeverisë dhe sëkëndejmi vendi shkon në zgjedhje”, tha në një deklaratë për “Botapress”, analisti Halil Matoshi.

Nga ana tjetër, analisti Imer Mushkolaj e ka ende të paqartë se cili qeveri do të vije në krye të vendit, por si të rëndësishme e sheh largimin nga skena të”Qeverisë Thaçi 3”.

“Se çfarë qeverie do të kemi ende është e paqartë. E rëndësishme është të mos kemi “Qeveri Thaçi 3”, për të mos vazhduar më degradimi dhe kapja e shtetit. Por, duhet ta kemi parasysh se në qeverisje kanë qenë edhe partitë që tash po synojnë të krijojnë koalicionin qeveritar, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse Blloku ia del ta bëjë qeverinë duhet ta ketë të qartë se trashëgimia e lënë nga PDK-ja do të jetë shumë problematike dhe nevojitet punë e madhe që të mund të përmirësohet diçka në të mirë të qytetarëve” deklaroi Mushkolaj për “Botapress”.