.
×

Qeveria shqiptare tërhiqet nga marrëveshja me turqit rreth Aeroportit të Vlorës



Qeveria e Shqipërisë nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje me turqit për Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të shpallë së shpejti një garë ndërkombëtare për të dhënë me koncesion ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës.

Në shkurt të vitit 2018, Kuvendi i Shqipërisë autorizoi që brenda 90 ditëve grupi negociator, me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe asaj të Infrastrukturës, të arrinte një marrëveshje me bashkimin e operatorëve turk “Cengiz”, “Kalyon” dhe “Kolin Construction”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, marrëveshja nuk arriti të finalizohet, pasi kompania turke kërkoi që Qeveria shqiptare t’ia paguajë asaj 4.5 milionë euro në vit për 7 vjet rresht si garanci për fluksin e munguar të pasagjerëve, ndërsa Qeveria shqiptare ishte e vendosur që të mos akordonte më shumë se 2.5 milionë në vit, kështu që negociatat me kompanitë turke, të cilat shprehën interes për ndërtimin dhe menaxhimin e kësaj vepre, nuk arritën të merrnin dritën jeshile.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se interesi nga investitorët në këtë aeroport ka qenë i madh, e se gara do të përmbajë kushtet: ndërtim-operim-transferim për kompaninë që do të dalë fituese. Firma që do ta ndërtojë aeroportin do të marrë për 35 vjet operimin e tij, e më pas do ta transferojë veprën në pronësi të shtetit shqiptar.