[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Qeveria Nuk i Njeh Diplomat e UP-së



Institucionet e Kosovës nuk janë duke i njohur diplomat e lëshuara nga Universiteti i Prishtinës. Mosnjohja e diplomave nga shteti po bëhet me qëllim të kursimit të buxhetit, pasi ato nuk po u njihen pensionistëve të cilët kanë aplikuar për të përfituar pensionin me shkollim superior.

Halil Berisha për dy dekada ka punuar si profesor i historisë në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Punën aty e kishte nisur në fillim të viteve ‘90.

Në kohën kur nisi punën, Berisha ende i kishte edhe disa provime të padhëna. Zvarritja e diplomimit të tij erdhi pasi ishte detyruar të mbajë disa vite burg për shkak të protestave që kishte bërë në vitin 1981.

Berisha arriti të diplomohej në Histori në Universitetin e Prishtinës në vitin 1994, në kohën kur Kosova ishte nën ish-Jugosllavinë. Kishte punuar si profesor i historisë në kohën e okupimit (1990-1999), në kohën kur sistemi i arsimit ishte paralel, kur mësimi zhvillohej nëpër shtëpi.

Në fund të muajit dhjetor të vitit 2016, Halil Berishës i erdhi koha të bëhej gati për të dalë në pension pas më shumë se dy dekadave si profesor i historisë në gjimnazin “Bedri Pejani” të Pejës.

Vetëm pasi aplikoi për pension, Halili thotë se e kuptoi që shteti nuk ia njeh diplomën e lëshuar nga Universiteti i Prishtinës më 24 shkurt të vitit 1994.

Diploma e tij është njohur nga Ministria e Arsimit për të punuar si mësimdhënës, por ajo nuk po i njihet si arritje profesionale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Në kohën kur unë shkova për t’i qitur dokumentacionet në Pejë për kontribut pensional me thonë Enti për Sigurim i pranon të gjitha 19 përvojë pune, pa këto vite të trustit (2000-2016), por nuk ma pranon diplomën e Universitetit të Prishtinës. Diploma tha nuk është valide”, tregon Berisha për “Gazetën Jeta në Kosovë“. “Pas insistimit për të kuptuar arsyet e refuzimit të diplomës mora një përgjigje qesharake. Me tha ‘nuk e di as unë pse nuk është valide po kështu na ka thënë Ministria (MPMS)”.

Mosnjohja e diplomave nga shteti po bëhet me qëllim të kursimit të buxhetit, pasi ato nuk po u njihen pensionistëve të cilët kanë aplikuar për të përfituar pensionin me shkollim superior.

Njerëzit në Kosovë që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute pensioni për të paktën 15 vjet para luftës tani marrin pensione që sillen nga minimum 158 euro deri në maksimum 230 euro, sipas nivelit të tyre të edukimit. Shuma prej 158 euro u jepet qytetarëve që e kanë të përfunduar shkollën e mesme por kanë paguar kontribute të pensionit nën sistemin e vjetër jugosllav para luftës.

Ajo që e befason me shumë Halil Berishën është fakti se si kërkohet nga një shtet tjetër të njihen diplomat e Universitetit të Prishtinës kur vetë shteti i Kosovës i konteston ato.

“Kur Republika jonë kërkon me këmbëngulje që Republika e Serbisë t’i pranon diplomat tona, kjo vet nuk i pranon diplomat e veta”, thotë ish-mësimdhënësi.

Po ashtu, Berisha tregon se si është sorollatur herë në një zyrë e herë në tjetrën.

“Tash e sa ditë vrapoj herë në Prishtinë e herë në Pejë dhe ende nuk kam marrë asnjë arsyetim. Vetëm thonë se nuk pranohet kjo diplomë”, tha Halili.

Thotë së ka shkuar për sqarime edhe në Ministrinë e Arsimit, por sipas tij as zyrtarët e saj nuk kanë ditur t’ia shpjegojnë se pse nuk pranohen për arritje profesionale dhe kontribut pensional diploma e Universitet të Prishtinës e vitit 1994.

Atij i janë njohur si përvojë e punës 19 vjet të paraluftës, në të cilat i janë përfshirë edhe 8 vjet si i burgosur politik, por nuk i është njohur arritja profesionale si profesor i historisë i diplomuar në Universitetin e Prishtinës.

Për ironi, shtëpia e profesor Berishës ka qenë në mesin e shumë shtëpive shkolla para lufte. Përmend me emër një zyrtar të lartë që tash punon në Ministrinë e Arsimit i cili ka punuar në shtëpinë e tij, pra në gjimnaz.

“Ai i ka pasur çelësat e shtëpisë sime, të cilën e kam lëshuar për shkollë”, tha Berisha i mllefosur. “Kam bërë shumë paraluftës për këtë vend, sepse shtëpia ime ka qenë edhe shkollë siç e di e gjithë Peja. Kjo me bën të ndihem edhe më keq sepse shih çfarë situate ka ardhur”, shton ai.

Halil Berisha
Halil Berisha ka punuar si profesor i historisë në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë

Thotë se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore që diploma e tij e lëshuar nga Universitetit i Prishtinës të njihet për arritje profesionale gjatë karrierës së tij.

Arsyetimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale

Në shumë pyetjet e dërguara nga “Gazetat Jeta në Kosovë” në drejtim të zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarët e saj janë përgjigjur shkurt.

Musa Demiri nga MPMS e ka pranuar se diplomat e lëshuara në mes të viteve 1991-1999 nuk njihet nga shteti. Dhe për këtë, ai thotë se ka bazë ligjore.

“Në bazë të U.A 09/2015 për kategorizim të përfituesve të pensionit kontributiv, neni 5.5 në mënyrë precize parashihet që arritjet profesionale do duhej të jenë arritur para datës 01.09.1991 derisa rasti konkret fakultetin e ka kryer në vitin 1994, gjë që është në kundërshtim me udhëzimin e cekur më lartë”, thuhet në përgjigjet e Demirit për Gazetën.

E sipas këtij udhëzimi administrativ në të cilin thirret MPMS, në nenin 5.5 të këtij udhëzimi thuhet së të gjitha të arriturat duhet të jenë para vitit 1991.

“Të gjitha dëshmitë për kualifikim të përcaktuara në paragrafët 2, 3 dhe 4 të këtij neni, duhet të jenë para vitit 01.01.1991”, thuhet në nenin 5.5 të Udhëzimit Administrativ 09/2015 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kurse në nenet 2, 3 dhe 4 të këtij udhëzimi njëjtë thuhet edhe për kontributpaguesit me përgatitje shkollore të mesme, të lartë dhe fakultetet duhet të jenë para datës 01/01/1991 siç thotë neni 5.5 i këtij udhëzimi administrativ.

Por, në një hulumtim të mëhershëm të BIRN-it, drejtori i Departamentit Administrativ të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte dhënë një arsyetim për këtë kufizim.

“Pasi në legjislacionin që ka qenë në atë kohë, ata njerëz nuk kanë kontribuar fare, do me thënë nuk janë harxhuar, nuk kanë ndarë të mjete për atë sigurim, atëherë normal që Qeveria nuk mund të merr barrën e përgjegjësisë për t’iu bërë një pagesë e pensionit kontributpagues (për dikë që nuk ka kontribuar)”, tha Xhaferi, i cili ishte një nga njerëzit që ka hartuar këtë udhëzim.

Heshtja e Ministrisë së Arsimit

“Gazetat Jeta në Kosovë” më 6 janar i ka dërguar pyetje me shkrim zëdhënëses së Ministrisë së Arsimit, Besa Bytyqi, për të marrë përgjigje për mosnjohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve ‘90 për kontribut pensional.

Më 12 janar Bytyqi i rekomandon Gazetës që pyetjet t’i drejtohen këshilltarit të ministrit Arsimi Bajrami, Faton Fetahut.

Përkundër premtimeve të vazhdueshme përmes telefonit të këshilltarit të ministrit për kthimin e përgjigjeve në pyetjet e dërguara një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Fetahu nuk ka kthyer përgjigje për dy javë për rastin e mosnjohjes së diplomave të UP-së gjatë viteve ‘90  nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për kontribut pensional.

Profesor Berisha e ka një brengë më të madhe se shtesa e pensionit me kualifikim të lartë.

“Po më brengos shumë si profesor… po friksohem se kur nesër t’më takojnë nxënësit e mi kanë me thanë që ‘na paska dhënë mësim një profesor i padiplomuar’”, thotë profesor Berisha. “Si sa shyhret e ka bërë kjo qeveri e jona”, pyet me mllef e ironi profesori.

Menu Title