.
×

Qeveria do të përkrahë projektet zhvillimore në Komunën e Drenasit



 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Parkun e Biznesit në Drenas, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Pas vizitës që i bëri parkut të biznesit ku pa nga afër punët dhe projektet kokrete që janë duke u zhvilluar në këtë park, kryeministri Haradinaj vizitoi Komunën e Drenasit.

 

 

 

Pas takimit me kryetarin e Komunës, kryeministri Haradinaj për mediat e pranishme tha se u bisedua për të gjitha projektet zhvillimore në Drenas dhe mundësinë e financimit të tyre, por edhe për temat zhvillimore që ndërlidhen edhe me pronën.

 

 

 

“Komuna e Drenasit ka projekte zhvillimore, por kërkon që një pjesë e pronave, që tani janë në pronësi të AKP-së ose mekanizmave të tjerë, t’i  kthehen Komunës, për shkak se në këtë mënyrë do të ishte në interes të zhvillimit”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke besuar se do të gjendet zgjidhja e duhur në bazë të ligjit.

 

 

 

Kryeministri takoi edhe sindikalistët e Ndërmarrjes Ferronikeli, të kryesuar nga kryetari Fehmi Nika, nga të cilët u informua për gjendjen në këtë  ndërmarrje. “Konstatuam që Qeveria i  ka borxh Ferronikelit një shumë të caktuar mjetesh financiare,  është një rimbursim i TVSH-së, me të cilin lidhen edhe pagat për muajin mars dhe prill”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se  është me interes që Ferronikeli të vazhdojë të funskionojë, sepse këtu punojnë 820 punëtorë.

 

 

 

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pasi garantoi kryeministrin Haradinaj që projektet që do të vijnë, do ta zhvillojnë këtë komunë, tha se çdo investim që do të vjen nga Qeveria, do të zhvillohet në mënyrën më të shpejt të mundshme.