.
×

Punëtorët e Pallatit të Rinisë qe dy muaj pa rroga, Ahmeti thotë se do t’i marrin javën e ardhshme



Komuna e Prishtinës, nga muaji shtator i ka marrë kompetencat e menaxhimit të Pallatit të Rinisë nga AKP’ja. Që nga ai muaj, punonjësit e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë pagat e tyre. Kryetari Shpend Ahmeti sot e ka vizituar Pallatin e Rinisë dhe u ka premtuar këtyre punonjësve që do të paguhen javën e ardhshme. Ndërsa shuma që do t’u paguhet punonjësve, kap shifrën afro 106 mijë euro.

104 punonjësit e Pallatit të Rinisë, nuk i kanë marrë pagat e tyre të muajit shtator dhe tetor, ata e kanë nisur muajin e tretë të punës, duke mos u paguar për punën e tyre paraprake.

E tërë kjo ka ardhur si pasojë e kalimit të kompetencave nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) në Komunën e Prishtinës, e cila ka nënshkruar kontratë për ta marrë Pallatin e Rinisë me obligime, që do të thotë se duhet t’i paguajë borxhet dhe t’i bëjë renovimet e duhura në këtë ndërmarrje.

Punonjësit e Pallatit të Rinisë i sigurojnë pagat e tyre nga qiraja që lokalet afariste paguajnë, por nga mungesa e një xhirollogarie, ata nuk kanë pasur ku t’i paguajnë këto qira.

Ahmeti sot ka vizituar Pallatin e Rinisë, ku ka thënë se për rimëkëmbjen e tij duhen investime që kapin shumën mbi 10 milionë euro. Pasi këto investime nuk mund të përballohen vetëm nga Komuna e Prishtinës, ai theksuar se kanë filluar kontaktet e para për donacione nga Bashkimi Europian.

Fazli Gashi, arkëtar në Pallatin e Rinisë, ka thënë se Ahmeti sot iu ka premtuar se pagat për muajt shtator dhe tetor do të kryhen brenda javës së ardhshme.

“Kryetari sot ishte në vizitë, na prezantoi edhe me anëtarët e bordit. Na tha se pagat për muajt shtator dhe tetor do të na dalin gjatë javës së ardhshme. Po shpresojmë që kjo do të ndodhë”, ka thënë Gashi.

Për t’u mbuluar pagat e punonjësve të Pallatit të Rinisë, për një muaj duhen afro 53 mijë euro, ndërsa për dy muaj sa nuk janë paguar ata, shifra kap shumën prej afro 106 mijë euro.