.
×

Punëtorët e KEK’ut protestojnë të martën, paralajmërohen greva



Botaprress 23 Qeshor- Marrëveshja kolektive në nivel të KEK-ut, dhënia e pagës jubilare në vazhdimësi e jo vetëm për periudhën 2015-2017, rivitalizimi Termocentralit Kosova A, rishikimi i ligjit për paga dhe rritja e shujtës së ushqimit janë arsyet për të cilat do të protestojë këtë të martë Sindikata e Re e KEK-ut

E në rast të mos përmbushjes të kërkesave të tyre, sindikalistët paralajmërojnë greva.

Nënkryetari i Sindikatës të Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë se kanë zgjedhur protestën për të paraqitur kërkesat e tyre dhe për t’i dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e atyre kërkesave.

Llumnica në një intervistë për KosovaPress, thotë se kështu synojnë të marrin vëmendjen e duhur nga Qeveria, pasi siç thotë ai, asnjëherë nuk kanë pasur bisedime para protestave, vetëm pas tyre.

“Protesta do të fillojë në sheshin Zahir Pajaziti, do të vazhdojë drejt sheshit Nëna Terezë, përballë zyrave qendrore të KEK-ut, në ora 12:00, më 25 qershor.. 4:00 Do të japim një afat aq sa munden me gjetë mundësinë e bisedimeve dhe të realizimit të kërkesave dhe në rast se nuk ka realizim të këtyre kërkesave, atëherë më Këshillin e Përgjithshëm të Sindikatës të Re të KEK-ut, varësisht edhe prej disponimit të tyre do të vendosim edhe për grevë”, thotë Llumnica.

Sipas tij, janë një mori kërkesa që nuk janë realizuar nga menaxhmenti i KEK-ut, e as nga Qeveria e Kosovës.

“Ne kemi një mori kërkesash që janë tubuar dhe nuk janë realizuar prej menaxhmentit të KEK-ut dhe Qeverisë të Kosovës, dhe kjo na shtynë të bëjmë protesta. Njëra prej pikave është pagat jubilare, të cilat kohëve të fundit menaxhmenti i KEK-ut ka vendosur të jepen vetëm për periudhën 2015-2017. Kurse, ne si sindikatë kërkojmë që kjo të jetë një vazhdimësi jo vetëm në këtë periudhë, sepse nuk guxojnë të bëjnë këtë lloj diskriminimi. Edhe rregullorja e KEK-ut e parasheh që pagat jubilare të jenë në vazhdimësi”, thotë ai.

Duke folur për kërkesat e sindikalistëve, Llumnica thotë se një ndër ato, është edhe marrëveshja kolektive në nivel të sektorit, pasi KEK është e vetmja kompani publike në Kosovë që nuk ka marrëveshje kolektive.

“Rivitalizimin i Kosovës ‘A’ është shumë më i favorshëm sesa kontrata me Contour Global, sepse krijon një shpenzim jashtëzakonisht të madh. Nuk jemi ne kundër një termocentrali të ri, por jemi kundër kësaj kontrate të dëmshme për qytetarin e Kosovës. Në rast se kjo kontratë realizohet, unë jam i bindur që do të dëmtohet qytetari i Kosovës dhe ngritja e çmimit do të bëhet mbi 100 përqind”, shprehet Llumnica.

Ndërsa një arsye tjetër që i shtynë të protestojnë, thotë të jetë edhe ligji për paga dhe shujta e ushqimit në vlerë prej 3.5 euro, në krahasim me 1.70 euro sa është aktualisht.

“Ligji për paga është diskriminues sepse punëtorët e KEK-ut nuk janë punëtorë administrativ dhe as shërbyes civil, por janë punëtorë të koorporatës, termocentraleve dhe minierave dhe nuk mund të konsiderohen kushtet e tyre njëjtë sikurse të shërbyesve civil. Po ashtu, ligji për paga është në shpërputhje me ligjin e punës sepse korporata punon me ndërrime dhe paga shtesë e punëtorëve të KEK-ut që punojnë me ndërrime mund të arrijë deri në 20 përqind, kurse në ligjin për paga është vetëm 8 përqind e pagës bazë”, shprehet ai.

Krejt në fund, Llumica thotë se deri më tash nuk kanë marrë ndonjë premtim nga Qeveria e Kosovës, për përmbushjen e ndonjërës nga kërkesat e sindikatës.