.
×

Publikohet lista: Këto janë të gjitha shtetet që e njohin patentën shqiptare



Ministri i Punëve të Jashtme Gent Cakaj ka publikuar sot listën e vendeve ku njihet patenta shqiptare. Në një postim në Facebook, Cakaj shprehet se lejet për drejtim automjeti të lëshuara nga autoritetet shqiptare, aktualisht njihen nga këto shtete:

Belgjika: shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedonia e Veriut: shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbia: shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Mali i Zi: shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovë: shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Nga ana tjetër, sipas ministrit, janë dy procese paralele në zhvillim e sipër për pranimin e lejeve të drejtimit me Italinë dhe Greqinë:

Italia: Pritet që marrëveshja e re të hyjë në fuqi pasi palët të njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme.

Greqia: Pala shqiptare ka përfunduar procedurat për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, ajo nuk është ende në fuqi sepse pala greke nuk e ka ratifikuar atë në Parlament.