.
×

Promovohet në Prishtinë libri i gazetarit shqiptar Rexhep Rifati:“Shtegtimet e një gazetari”



( Duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në promovim, po jap vështrimin e Prof. Migena ARLLATI : “IMAZHE TË GJALLA TË ORIGJINALITETIT SHQIPTAR” )

Dje në Bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë në kuadër veprimtarisë, “Promonadë Vere 2018” me orgaanizimin e Lidhjes së Kriujesëve Shqiptarë në Mërgatë, që drejtohet nga Hasan Qyqall, u bë promovimi i paë i librave tim më të ri “Shtegtimet e një gazetari” .

Me këtë rast po jap ca fragmente të redaktores së librit Prof. Migena ARLLATI me fotot e shkrepura nga mjeshtri i fotografisë, Shkëlzen REXHA

Prof. Migena ARLLATI : “IMAZHE TË GJALLA TË ORIGJINALITETIT SHQIPTAR” :

“Nuk janë “Shtegtimet e Çajld HaroldIT” të Xhorxh Bajron dhe as “Udhëtime nëpër Ballkan” të hungarezit Franz Nopҫa. Ata udhëtuan skutë më skutë të Europës, u njohën me popuj e treva të ndryshme por shpirti iu gjeti qetësi e prehje vetëm në një oazë të mrekullueshme, këtu në Ballkan, pikërisht në vendin e shqiponjave, tek shqiptarët.

T’i shohësh shqiptarët me syrin e një të huaji përbën një atraktivitet të vërtetë pasi për botën e modernizuar janë kthyer në nostalgjike disa nga vlerat që ky popull i ka ruajtur e kultivuar gjatë, si: mikpritja, bujaria, besa… Por, po vetë shqiptarëve, të cilët janë vazhdimisht përballë vetvetes, vallë si ju duket të qënurit shqiptar dhe ambienti shqipfolës përreth?

“Shtegtimet e një gazetari”, kjo vepër e ndërtuar me shpirt dhe pasion nga Rexhep Rifati, nuk është thjesht një rrëfim mbi shqiptarët, të shtrirë në shtete të ndryshme brenda Ballkanit, nuk është as thjesht një album fotografish i monumenteve a vendeve tërheqëse. Ky botim vjen pas një itinerari të gjatë ecejakesh dhe ndalesash pikërisht në ato vende ku fotografia nuk do koment, apo aty ku mbresa e treguar bëhet lehtë e përjetueshme dhe e besueshme.

Vizita, ndalesa, përshtypje, takime, dialogje, përqafime dhe sërish një mirupafshim sepse ky ndoshta ishte i pari por jo i fundit takim… Në ҫdo ndalesë ndryshojnë emërvendet, ndryshojnë stacionimet, takimet rastësore me njerëzit, ndryshon shumëҫka brenda gjithҫkaje që flet e gjallon shqip jo vetëm sot, por në kohëra e kohëra. Vetëm diҫka nuk ndryshon e nuk ndalet asnjëherë: aparati fotografik, me të cilin Rexhep Rifati ka vendosur të ndërtojë reportazhin e një itinerari të gjatë nëpër Shqipëri, Kosovë, dhe gjithandej nëpër Ballkan ku ka shqiptarë, bile deri në arbëreshët e Italisë.

Lëvizja nga njëri skaj në tjetrin, sa në veri e në jug, sa në lindje e në perëndim, herë – herë të jep përshtypjen se autori ka të bëjë me një shtysë të jashtëzakonshme që gjithmonë “e detyron” të zhvendoset diku tjetër. A thua ndjehet paksa lasgushian në këtë ngarendje, pasi edhe poeti romantik i identifikonte shqiptarët të gjithë në një, që nga buron Drini e deri ku derdhet Shën Naumi:
“… Duke nisur udhëtimin mes për mes në Shqipëri,

Drini plak e i përmallshëm po buron prej Shën Naumi…”
Për ata që duan ta kenë një eksplorim të shpejtë mbi shqiptarët kudo në shtrirjen e gjerë të tyre, nuk ka mënyrë më të mirë se sa këtë ta bëjnë duke shfletuar “Shtegtimet…” e Rexhep Rifatit. Ky botim sjell një përmbledhje të mirë anë e kënd zonave shqipfolëse, personaliteteve të dëshmuar të këtij populli të vjetër; e njëjta përgjigje për ata që duan të njihen me disa nga traditat, zakonet, kostumet…

Në tre vite të tërë, e fillon dhe mbaron këtë mision fisnik që i ka vënë vetes: të përshkruajë shqiptarët me anë të fotografisë, me anë të mbresës së ndalesës në zona të caktuara. Të gjithë këtë ndërmarrësi e fokuson në 1001 foto, të cilat të gjitha së bashku përbëjnë një pano të madhe mbi kulturën shqiptare. Aty flasin shekujt, luftërat, heronjtë e pendës dhe ata të pushkës, flasin kullat dhe vatrat, flasin sofrat dhe oxhakët, flasin malet dhe gurgullimat e ujërave, po flet edhe malli, flet edhe heshtja për shumë gjëra që nuk janë bërë e që duhet të ishin bërë…

Duke pasur shtatë dekada jetë mbi supe, autori e di mirë rëndësinë e ҫdo pjesëze të gjeopolitikës shqiptare, ndaj asesi të mjaftohet vetëm me Shqipërinë e Kosovën. Me të njëjtën dashuri, pse jo edhe më të madhe, ai do të trajtojë edhe Manastirin, Kalabrinë, Siҫilinë, Çamërinë, vende nga të cilat do të sjellë imazhe të gjalla të origjinalitetit shqiptar. Për të, kombi nuk mbaron në vijën e fundit kufitare; për të, kombi frymon edhe atje ku jeton qoftë edhe një shqiptar a pasardhës shqiptari.

Libri nuk është objekt studimi por prezantimi, ndaj në këtë prizëm vijnë të renditura njëra pas tjetrës kaptinat, duke filluar nga Kalatë shqiptare, Qytetet antike dhe të sotme, Kullat, Memorialet e lirisë, Shtatoret e bustet e kryetrimit Gjergj Kastrioti, Muzetë arkeologjike, historike dhe etnografike, Shtëpitë – muze dhe Fondet e personaliteteve shqiptare, Objektet e akteve të rëndësishme kombëtare, Shtegtimet nëpër Malësinë e Madhe, Udhëtimet nëpër Kalabri e Çamëri, Figura që lanë gjurmë në histori, Eksodi shqiptar ’99, Vende e ambiente kreative – turistike, Institucione arsimore e kulturore, Afaristët tanë që bënë emër në botë, Skenat teatrore dhe ikonat e famshme, Shkrimtarë, heronj e artistë të përjetësuar në bronz, Figura shqiptare me përmasa ndërkombëtare, Mjekë e klinika me renome ndërkombëtare, Artistë, ansamble, festivale e ngjarje kulturore.

Pas botimit vite më parë të monografisë “Shqiptarët në Zvicër -1001 pamje”, me këtë botim të dytë Rexhep Rifati vulos faktin se njeriu nuk ngopet asnjëherë me vendin dhe njerëzit e tij, por i rikthehet atyre vazhdimisht në jetë, duke shfrytëzuar ҫdo qelizë nga mundësitë e tij. Po ashtu, ai i tregon mbanë botës shqiptare dhe të huaj se mes nesh kemi me ҫka të krenohemi, kemi ҫka të tregojmë, se ka aq shumë vlera e virtyte që ai i sjell në spikamë si një dorë e kujdesshme.

Falë gjithë kësaj pune voluminoze e të përkushtuar, autori na vë kështu përballë një tjetër monument të kulturës shqiptare. Ky monument është libri i tij!”
Kjo ngjarje kulturore që mbështet nga Ministria e Diasporës, solli në mjediset e bibliotekës krijues nga mërgata dhe trojet tona etnike, në prani edhe të përfaqësesve të qeverisë së Kosovës, filloi me një minutë heshtje në kujtim të jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit. Ndërkohë u bë promovimi i botimeve më të reja nga autorët e mërgatës.

Me këtë rast falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij projekti, në tërsi me punë vullnetare dhe shprehi kënaqësinë që libri i kushtohej Bacë Sadik Tafarshikut, që si askush tjetër bëri shumë në shpërndarjeen e librit në Kosovë. Ndaj edhe librin e parë në këtë romovim ia dhurova me shumë kënaqësi bijes së Bacës Sadik, Zyliha Tafarshikut.