.
×

Prokuroria e EULEX-it ia dërgon rastin në Supreme Milaim Zekës, edhe pse ishte shpallur i pafajshëm



 

 

 

 

Megjithëse Milaim Zeka, atëkohë gazetar tash deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës, ishte shpallur i pafajshëm nga një trup i EULEX-it për akuzat “shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Tentim i pengimit të provuarit ose procedurës zyrtare dhe privatësisë”, rasti i tij është dërguar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Vendimin e Prokurorisë së EULEX-it e ka konfirmuar për Periskopin vet Milaim Zeka, të cilin vendim e ka quajtur tendencë hakmarrjeje ndaj tij.

Rikthimin e rastit Prokuroria e EULEX-it, sipas Zekës, e ka arsyetuar me përshkrimin se vendimi dhe procesi gjyqësor që e ka shpallur atë të pafajshëm është “shkelje e ligjshmërisë”.

Sipas Zekës, Prokuroria e EULEX-it, me këtë rast po shantazhon edhe gazetarët e tjerë, të cilët hulumtojnë e merren me rastet që ka në dorë drejtësia e EULEX-it.

“Prokuroria e EULEX-it e ka kthyer rastin në Supreme, me arsyetimin për shkelje të ligjshmërisë. Rreziku është me u kthy lënda në pikën zero. Vendimin e shoh si absurd dhe si tendencë të Prokurorisë së EULEX-it për hakmarrje ndaj meje. Kjo mund të kuptohet edhe si shantazh ndaj gazetarëve”, tha Zeka për Periskopin.

Zeka tha se EULEX po i quan të jashtëligjshme vendimet e veta, meqenëse shfajësimi i tij është bërë nga trupi gjykues i EULEX-it, në shkallën 1 dhe 2.

I pyetur nëse dërgimi i lëndës në Supreme ka të bëj me hyrjen e tij në politikë, Zeka e ka mohuar një mundësi të tillë, duke thënë se rasti është hapur më herët.

Gjykata Themelore e Mitrovicës, e përbërë nga një trup gjykues i EULEX-it, më 12 shkurt 2016, nuk kishte arritur të vërtetojë se Zeka në bashkëveprim me Rrustem Rukollin kanë zbuluar identitetin e dëshmitarit A, që ishte në masa mbrojtëse në rastin Drenica 1 dhe 2.

Zeka akuzohej se është takuar me dëshmitarin A, pjesë e së cilit takim ka qenë edhe biznesmeni Rrustem Rukolli, pjesë e ekipit mbrojtës të Sami Lushtakut, por prokurori i rastit është tërhequr dje nga akuza për të sepse ka thënë se nuk ka arritur të vërtetojë përfshirjen e tij në këtë çështje.

“Nuk ka asnjë dyshim se Milaim Zeka është takuar me Dëshmitarin A. Por, pyetja kryesore e Gjykatës është se ‘a ka mundur që i pandehuri të ndikojë te dëshmitari A që të japë një intervistë dhe për të pranuar se ka qenë dëshmitar në rastin Drenica dhe a është përdorur ndonjë forcë për këtë”, kishte thënë kryetarja e trupit gjykues Franciska Fischer. /Periskopi/