.
×

Prokurorët e Kosovës do të hetojnë ish-ushtarë të UÇK-së për krime lufte



Botapress, 14 maj

Prokurori Maoricio Salustro ka qenë shënjestër e sharjeve dhe etiketimeve për shkak se ka ndjekur penalisht shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së për krime lufte, shkruan sot Koha Ditore.

Rastet Bllaca, Kleçka e Grupi i Drenicës janë tri prej proceseve gjyqësore që ish-prokurorin e EULEX-it e kishin bërë shënjestër edhe të protestave.

Por punën që ai dhe kolegë të tij ndërkombëtarë e kanë lënë në gjysmë do ta vazhdojnë prokurorët kosovarë që shënjestër të hetimeve do të kenë krimet e luftës midis të cilave edhe krimet e dyshuara të UÇK-së.

Vendimi për themelimin e një departamenti të veçantë në kuadër të Prokurorisë Speciale është marrë të mërkurën me vota unanime të të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Pos themelimit të këtij departamenti, Këshilli Prokurorial ka inkurajuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Qeverinë dhe Kuvendin që të ndërmarrin veprime konkrete për themelimin e një Dhome Speciale në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës për gjykimin e rasteve të krimeve të rënda që ndiqen nga Prokuroria Speciale.

Mirëpo për të ndodhur kjo, sipas ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duhen mbështetje e shumanshme dhe presion mbi ndërkombëtarët që prej vitit 2011 kanë refuzuar një gjë të tillë.