.
×

Profesorët e UP-së fyhen e kërcënohen me jetë mes vete



Një fjalosje me tone kërcënuese kishte ndodhur në një nga zyrat e fakultetit të Bujqësisë të Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Protagonistë të kësaj fjalosje ishin profesorët Skënder Muji, Driton Sylejmani dhe prodekanët Mentor Thaçi dhe Afrim Hamidi të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP.

Rasti ka ndodhur në muajin prill 2018 në zyrën e prodekanëve ku shkak i këtij rasti ka qenë zëvendësimi i lëndës “Mikrobilogji”, pas shkuarjes në pushim të lehonisë së asistentes Blerta Mehmedi.

Prodekanët Mentor Thaçi, Afrim Hamidi dhe profesor Driton Sylejmani e kanë vënë “gishtin” mbi profesorin Skënder Muji për këto kërcënime dhe fyerje verbale, ndërsa vetë profesor Muji pretendon se fyerjet janë bërë nga vetë prodekani Hamidi dhe profesori Sylejmani.

Të dy palët kanë deponuar ankesat me pretendimet e tyre për rrjedhën e ngjarjes, që janë të ndryshme.

Gazeta Jeta në Kosovë, posedon dy ankesa, njëri i dorëzuar në Rektorat dhe tjetri në Këshillit Etik të Universitetit të Prishtinës, raste këto që janë duke u shqyrtuar.

Ankesa e parë: “Kjo do të përfundoj me një kufomë”

Ankesa e parë është bërë më 27 prill 2018, ku prodekani për mjekësi veterinare, Afrim Hamidi, ka bërë një “Njoftim për fyerje personale në vend të punës dhe kërcënim fizik” të cilin e kanë dorëzuar në Rektorat.

Dokumentin që posedon Gazeta Jeta në Kosovë e që mban numrin e protokollit 01-67, është shkruar nga prodekani Afrim Hamidi dhe nënshkruar nga dy të tjerë, prodekani tjetër Mentor Thaçi dhe profesori Driton Sylejmani që ishin dëshmitarë të rastit.

Në këtë letër, prodekanët , Afrim Hamidi ka treguar se si ka ndodhur i gjithë rasti.

“Dje më datën 26.04 në orën 15:30 në zyrën e Prodekanëve në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë erdhi z. Skënder Muji (mësimdhënës) për të diskuar për çështjen e mbajtjes së mësimit në lëndën Mikrobiologji në programin studimor ‘Menaxhimi i Biznesit në Zooteknik’”, ka shkruar Hamidi.

Ai ka dhënë edhe detaje të mënyrës së transferit të orëve të lëndës së Mikrobilogjisë, pasi e angazhuara për këtë lëndë në këtë semestër Blerta Mehmedi, ishte në pushim të lehonisë.

Prodekani Hamidi, pretendon se është kërcënuar me jetë dhe është fyer nga profesor Skënder Muji.

“Kolegu Skënder Muji… është kërcënuar se në ligjëratën e ardhshme nuk ka njeri që do ta ndalojë në mbajtjen e mësimit dhe është kërcënuar se kjo do të përfundoj me një kufomë duke iu drejtuar profesor Driton Sylejmanit”, shkruhet në letrën e dorëzuar nga prodekani Hamiti.

Madje prodekani Hamiti, ka shkruar se sjelljet e profesor Skënder Mujit janë jo të hijshme të cilat ndikojnë negativisht në kryerjen e punës së menaxhmetit dhe në imazhin e Fakulteti të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Prodekani Afrim Hamiti pretendon se po i cenohet edhe siguria fizike me sjellje të tilla të profesor Skënder Mujit.

“Shpresoj që ky njoftim do të shqyrtohet dhe merret parasysh sepse sjelljet e tilla pengojnë në kryerjen e obligimeve, cenojnë sigurinë fizike, procesin mësimor dhe njëkohësisht ulin vlerën dhe imazhin e institucionit”, thuhet në letrën e prodekanit Hamiti.

Në fund të kësaj letre, prodekani Hamiti ka sqaruar se profesor Skënder Muji nuk ka thirrje për të mbajtur lëndën Mikrobiologji.

“Është i paqartë motivi i tij dhe insistimi për mbajtjen e mësimit në këtë lëndë dhe se nuk ka as autorizim”, ka shkruar Hamiti në letrën e tij drejtuar Rektoratit.

Ankesa e dytë: Dy duar për një kokë

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar edhe ankesën e dytë e bërë nga profesori Skënder Muji të cilin ja ka drejtuar Këshillit Etik të Universitetit të Prishtinës, duke pretenduar se është fyer dhe kërcënuar nga prodekani Afrim Hamidi dhe profesori Driton Sylejmani derisa ishte në bisedë me prodekanin Mentor Thaçi. Dy ankesat e bëra jepet data e ndryshme se kur ka ndodhur përleshja verbale dhe kërcënimi fizik.

Prodekani për çështje financiare në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë ka shkruar në ankesën e tij se fyerja ndaj tij dhe kërcënimi fizik ka ndodhur më 26 prill, ndërsa sipas ankesës së profesor Skënder Muji ky rast ka ndodhur më 25 prill 2018.

Ai thotë se ishte në zyrën e prodekanit për mësim, kur ka ndërhyrë profesor Sylejmani e më vonë ka marr fyerje edhe nga prodekani Hamidi.

“Unë kërkova nga prodekani Mentor Thaçi që të ndërhyjë dhe ta rregulloj këtë çështje në mënyrë që mos të ndodh ndonjë e papritur apo skandal para studentëve dhe ta ruajmë imazhin e fakultetit. Ata mu kthyen me retorikën dhe me shprehje cinike se çfarë skandali do të ndodhë duke mu drejtuar me fjalët se a do të na mbysësh ne a? Unë iu jam përgjigjur se ‘dy duar janë për një kokë’”, ka shkruar Muji duke pranuar se çfarë i është drejtuar profesorit Sylejmani dhe prodekanit Hamidi.

Në ankesën që posedon Gazeta Jeta në Kosovë, profesor Skënder Muji ka vazhduar të shtjelloj kërcënimet, duke thënë se është kërrcenuar me vdekje.

“Profesori Driton Sylejmani më kërcënon me fjalët ‘se do të nxjerrin ty të vdekur nga salla’ dhe unë i përgjigjem se nëse është shkruar nga Zoti s’kam ku shkoj, por as ju nuk besoj se ju bjen mirë’. Pastaj profesor Afrim Hamidi në përkrahje të tij filloi duke më ofenduar me fjalët se ‘Ti je turpi i fakultetit, universitetit, Kosovës dhe shqiptarisë’ duke më akuzuar se je ardhur i dehur’(!!!)”, ka shkruar Muji në ankesën e tij.

Muji për Gazetën Jnk ka thënë se gjatë ditës së kërcenimit ka qenë i angazhuar në fakultet dhe nuk ka konsumuar alkohol.

“Unë atë ditë kam pas mësim e pastaj provime. Kam qenë i angazhuar deri në ora 15:00. Nuk e di ku kam mundur të pi raki dhe nuk jam një person që i takoj atij grupi. E di çka është vendi i punës, së pari në orarin e punës nuk lejohet pirja, mirëpo ata i kanë thënë ato gjëra sepse nuk kanë pasur argumente tjera dhe për të shtuar diçka është dashur të thonë ashtu”, deklaroi profesor Muji.

Muji në fund të ankesës së tij ka thënë se duke qenë i kërcënuar dhe i fyer nga prodekani Afrim Hamidi dhe profesori Driton Sylejmani është larguar nga zyra për të mos eskaluar situata.

“Ky rast është shpërfaqej edhe e sjelljeve dhe flustrimeve të mëhershme të këtyre profesorëve, të cilët dinë të jenë të pa respekt dhe konfliktuoz, sidomos profesor Afrim Hamidi që është nxitës edhe i situatës në fjalë”, ka shkruar profesor Muji.

“Autorët” e përplasjes verbale nuk komentojnë rastin

Të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, prodekani Afrim Hamidi dhe profesori Driton Sylejmani nuk kanë dashur të flasin rreth këtij rasti.

Madje, prodekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Afrim Hamidi tha se kjo çështje nuk është për opionin dhe as punë e gazetarisë.

“Unë për momentin jam i zënë sepse kam ligjërata, por ndoshta më vonë pas orarit të punës flasim për këtë punë. Nuk ka qenë diçka shumë që me u kyç edhe gazetaria në këtë procedurë. Ndoshta pas orarit të punës mund të kontaktojmë. Besoj që kjo çështje do të rregullohet dhe nuk ja vlejnë ndoshta me u përcjell në opinion a po kuptoni”, tha Hamidi.

I kontaktuar sërish, prodekani Hamidi nuk ka dashur të prononcohet duke thënë se nuk është i interesuar të komunikojë me gazetarë.

“Ka qenë një mosmarrëveshje e vogël dhe sikur është rregulluar ajo punë dhe besoj që nuk ia vlejnë t’i bëjmë jehonë të madhe kësaj punë. Nuk jam i interesuar të komunikojë shumë me gazetarë dhe nuk jam i gatshëm me bashkëpunu në këtë drejtim. Nëse keni diçka më produktive për opinionin për të servuar diçka më produktive jam i gatshëm si p.sh në sigurinë ushqimore”, tha Hamidi.

As profesori Driton Sylejmani nuk deshi ta komentoj rastin duke thënë se është para fillimit të ligjëratave dhe nuk mund ta tregoj këtë rast me dy a tri fjalë.

“Është vështirë me e përshkru me telefon këtë rast, meqë ne e kemi adresuar si njoftim në Rektorat dhe për këtë arsye jam para ligjëratës dhe pak problem që këto raste ti tregojmë me dy ose tri fjalë sepse mund të rrjedhin gjëra që nuk janë fare”, tha Driton Sylejmani.

Por i kontaktuar edhe disa herë tjera nga Gazeta Jeta në Kosovë, profesor Sylejmani nuk është përgjigjur rreth thirrjeve për këtë rast.

Ndërsa profesori Skënder Muji ka thënë se në këtë rast është ndier i fyer, i kërcënuar dhe i shantazhuar.

Profesor Muji thotë se Afrim Hamidi ka qenë edhe prodekan i tij i emëruar në kohën sa ai mbante pozitën e dekanit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Por për krejt këtë situatë të krijuar ai thotë se “E ka gjenezën më herët kjo çështje “, duke mos dhënë detaje për çfarë bëhet fjalë.

Muji tha se ka kërkuar nga dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë që ta lënë rehat në punën e tij që e bënë që nga viti 1993.

“Unë i kam thanë edhe dekanit, unë nuk po kërkoj asgjë vetëm me më lënë rehat, unë punën time ata të vetën”, tregoi ai.

Dekani Kaçiu : Është shumë e rëndë ajo që ka ndodhur

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Skënder Kaçiu, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka pranuar se ka ndodhur një ngatërresë mes profesorëve të kësaj njësi akademike.

“Kur ka ndodhur kjo, unë nuk kam qenë këtu, kam qenë jashtë nga Fakulteti. Ata e kanë bërë një ankesë në Këshillin Etik dhe ata e kanë tashmë lëndën. Ajo është tejkaluar kështu, ka qenë një ngatërresë e momentit, një fjalorë që ndoshta nuk është dashur të përdoret. Por ka përfunduar dhe lënda tashmë është në Këshillin Etik”, deklaroi Kaçiu.

Ai tha se është shumë e rëndë ajo që ka ndodhur mes prodekanit dhe profesorëve por tha se është në pritje të vendimit të Këshillit Drejtues për këtë rast.

“Po besoj që do të zgjidhet , kjo nuk ka guxuar të ndodh. Është shumë e rëndë ajo qe ka ndodhur fatkeqësisht, por do të shohim për masat më tutje që do t’i marrim”, tha dekani Kaçiu.

Dekani tregoi se për lëndën e cila është asistuar nga Blerta Mehmedi, do të ketë komision të veçantë që studentët ti nënshtrohen provimit për shkak se ajo është në pushim të lehonisë.

Rasti i prodekanit Afrim Hamidi dhe profesorëve Driton Sylejmani e Skënder Muji ka shkuar në Këshillin Etik të Universitetit të Prishtinës për tu shqyrtuar dhe vendosur mbi këtë përplasjen verbale që ka ndodhur në prill 2018 në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Anëtarët e Këshillit Etik të Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 2 maj 2018, ka shqyrtuar ankesat e prodekanëve Afrim Hamidi, Mentor Thaci e profesor Driton Sylejmanit si dhe ankesën e profesorit Skënder Muji.

Kryetari i Këshillit Etik, Iset Morina, nuk është përgjigjur rreth këtij rasti edhe pse ka kërkuar që pyetjet të ja përcjellim në adresën e tij elektronike.

Profesor Skënder Muji thotë se ende nuk ka pranuar vendim nga Keshillio Etik, mirëpo ka dëgjuar që Këshilli ka për qëllim t’i pajtoj ata por jo të vendos për “ndëshkim” apo “masa disiplinore” ndaj atyre që vërtetohet se kanë shkelur Kodin Etik të Universitetit të Prishtinës.