.
×

Prizrenasit meritojnë të ngrohën nga rrezet e diellit që ky pushtet i shpifur ua ka ndalur me dhunë!  



Afërdita Morina-Biffar

 

Dega e LDK-së në Prizren, po rritet çdo ditë. Procesi zgjedhor demokratik i brendshëm po i afrohet përmbylljes  së suksesshme.

Shumë njerëz, intelektualë e vullnetmirë, po i bashkëngjiten shtëpisë së madhe-LDK-së. Të lodhur nga qeverisja çoroditëse e pushtetit aktual të PDK-së, qytetarët e Prizrenit, çdo ditë po e shohin LDK-në si të vetmen alternative për nxjerrjen e Komunës së Prizrenit nga kjo katrahurë, në të cilën e kanë sjellë pushtet-mbajtësit e pandërgjegjshëm.

Komuna e Prizrenit, për shtatë vite (2001-2007), sa është qeverisur nga LDK-ja, ishte shembulli më i mirë se si duhet të qeveriset me duar të pastra. Ishte model se si duhet t’iu dilet ballë problemeve dhe halleve të qytetarëve; se si mund të ndërtohet dhe riparohet infrastruktura me një buxhet të vogël dhe me kompetenca shumë të kufizuara nën administrimin e UNMIK-ut.

Komuna e Prizreni, ishte shembull se si të zgjedhurit janë vetëm shërbyes të zgjedhësve e jo sulltan të tyre. Pavarësisht krijimit të këtij imazhi pozitiv të Prizrenit nga LDK-ja, qeverisja aktuale e PDK-së, e ka shkatërruar tërësisht këtë imazh.

Sot, Prizrenit po vuan nga një qeverisje banditeske, të cilët njëherë pushtetin e morën me vjedhje masive të votave, ndërsa herën tjetër duke bëre aleanca me djallin e t’ birin. Tani Prizreni lëngon rënd nga ky pushtet i mbrapsht. Pushtetarët që sot keqqeverisin me Prizrenin, e ndjejnë vetën edhe mbi ligjin. Ata dënimet nga organet e drejtësisë i shohin si shkarravina, dhe pa asnjë vlerë.

Probleme e keqpërdorime të shumta të identifikuara në fushën e arsimit, ku punësimet ndodhin brenda natës, si me shkop magjik, pa asnjë kriter e madje me raste edhe në konflikt interesi.

Pasiguria në shkollat e Prizrenit, kohën e fundit ka marrë përmasa alarmante. Çdo ditë raportohet për rreziqe nga më të ndryshmet, që u kanosen nxënësve nga huliganizmi i shfaqur hapur. E si mund të jetë ndryshe kur shkollat drejtohen nga militantë të partisë në pushtet, të cilët nuk qajnë kokën as për siguri të nxënësve, as për asgjë tjetër që kalon përmasat e interesave të tyre personale dhe partiake.

Është i dhimbshëm fakti që prindërit prizrenas nuk e kanë më hallin e arsimimit e dijeve që fëmijët e tyre marrin në shkolla, por se a iu kthehen ata në shtëpi shëndosh e mirë. E pushtetarët pa fije turpi vazhdojnë të lëvizin me makina luksoze e të shtrojnë dreka e darka me para publike.

Ata turpin e kanë ngrënë me bukë. Nuk ke çka pret më shumë prej tyre, veç përbuzjes tek zgërdhijnë dhëmbët karshi atyre që marrin guximin t’ua përplasin troç në fytyrë pakënaqësinë me mënyrën se si arritën ta degradojnë jetën e qytetarëve të Komunës së Prizrenit.

Te vetëdijshëm se jeta institucionale në Prizreni ka degraduar aq shumë dhe për pasojë edhe jeta e qytetarëve po shkatërrohet çdo ditë, LDK-ja ka filluar të punojë bashkë me qytetarët për t’u bërë gati për ndryshimin e madh. Nuk ka kohë për t’u humbur! Me ndihmën e prizrenasve, po identifikojmë çdo ditë të gjitha parregullsitë, shkeljet dhe matrapazllëqet e këtij pushteti që orët i ka të numëruara.

Dega e LDK-së në Prizren, është futur në fazën përfundimtare të zgjedhjeve të brendshme dhe së shpejti do të përcaktojë me votën e lirë për lidershipin e ri.

Ky lidership pritet të punojë shumë dhe intenzivisht në bashkërendim me aktivistët, anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët kudo në komunën e Prizrenit, që përmes rrugëve institucionale dhe politike të përgatitet një platformë e përbashkët për një luftë të pa kompromis ndaj së keqes, që ka gllabëruar çdo pore të jetës së qytetarëve të Prizrenit.

LDK-ja që në fillin e saj të hershmëm u themelua si shpresë për popullin. As dje, as sot ,  as kurrë nuk e ka humbur kontaktin me bazën e saj-popullin.

Me njerëzit që kanë besim në të dhe vlerat demokratike. Prandaj, çdo ditë, natë do të jetë e hapur për punë dhe kontribut të të gjithë vullnetmirëve që Prizreni të ngadhënjej mbi të keqen, të ligën, të shëmtuarën dhe mbi qeverisjen e mbrapsht që e ka ngulfatur.

Prandaj, ka aq shumë njerëz që po aderojnë në këtë subjekt politik, saç vërtet po ndjehemi të fortë.

Jam e sigurt se shumë shpejt do të ngadhënjej e mira mbi të keqen, edhe kur të tjerët bëjnë aleancë me djallin. Asgjë dhe askush nuk do të mund të ndal qytetarët e Prizrenit, për të bërë ndryshimin që kaherë e kërkojnë. As djalli, as dreqi e as i biri ! LDK-së në Prizren po i bashkohen të rinjtë që pushteti aktual i ka harruar kaherë. Intelektualët që dyert u janë mbyllur për punë.

Ata po e shohin LDK-në si të vetmen shpresë për rikthimin e jetës në Prizren në binarë normal. Kjo na gëzon, por njëkohësisht na obligon edhe më shumë për të punuar të gjithë së bashku, që ëndrrën e tyre ta bëjmë realitet, dhe Prizrenit t’i kthehet vendi dhe nami i mirë që kishte dikur. Prizreni dhe qytetarët e saj, meritojnë një qeverisje të mirë. Por, këtë qeverisje të mirë nuk mund t’ia sigurojë asnjë subjekt tjetër politik, përveç LDK-së. Këtë e kemi dëshmuar për shtatë vite.

Prizrenasit meritojnë të ngrohën nga rrezet e diellit që ky pushtet i shpifur ua ka ndalur me dorë!