.
×

Më në fund foli diçka Presidentja Jahjaga!



Pas njoftimit të Kryesueses Flora Brovina për shtyrje të seancës e cila thirret në takimet e Presidentes me liderët e partive politike, ka reaguar edhe Presidentja Jahjaga. Zyra e Presidentes thotë se takimet e Jahjagës me liderët janë proces i veçantë, që nuk kanë të bëjnë me Kuvendin.

Në njoftimin nga zyra e Presidentes thuhet se Jahjaga do të vazhdoj takimet me liderët e partive parlamentare derisa u ka bërë thirrje deputetëve që të përshpejtojnë me gjetjen e zgjidhjes për krijimin e institucioneve.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se takimet e presidentes me liderët e partive politike parlamentare janë proces i veçantë që synon të lehtësojë diskutimet mes tyre, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të reja të vendit në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Zyra e Presidentes thekson faktin se Kuvendi i Kosovës është institucion plotësisht autonom. Asnjë procedurë e brendshme e tij, përfshirë edhe thirrjen e seancës së tij, nuk ndërlidhet me përpjekjet e Presidentes për lehtësim të dialogut.

Presidentja Jahjaga respekton pavarësinë dhe rregullat e Kuvendit.

Presidentja Jahjaga do të vazhdojë të luajë rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit.

Presidentja bën thirrje te të gjithë liderët politikë në vend që të përshpejtojnë gjetjen e zgjidhjes së çështjes për krijimin e institucioneve”, thuhet në njoftimin nga Presidenca.