.
×

Presidenti u bën ftesë publike subjekteve politike për përfshirje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë



Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas ftesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel, u ka bërë thirrje publike subjekteve politike që të bëhen pjesë e ekipit negociator.

Presidenti Thaçi ka thënë se të dielën do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të këtij dialogu është arritja e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Jam i bindur që ka ardhur koha, që pas bisedimeve të cilat në një mënyrë apo tjetrën po zgjasin tash e njëzet vjet, që të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike, mbi njëshekullore, në raportet në mes të dy shteteve dhe popujve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk kemi çka t’i druhemi dialogut dhe as epilogut të tij.

“Si shoqëri dhe politikë e Kosovës, kemi pasur guximin, dijen, organizimin e duhur, pajtimin në mes nesh, si në Konferencën e Rambujesë, ashtu edhe në Procesin e Vjenës, që përmes negociatave dhe luftës së drejtë ta arrijmë çlirimin e Kosovës, e pastaj ta mundësojmë edhe shpalljen e pavarësisë, respektivisht krijimin e shtetit të Kosovës. E di, gjithashtu, që na presin bisedime të vështira, sepse tani synojmë që ta përmbyllim këtë proces duke bërë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike dhe politike me Serbinë. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO, për ta siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai. Kosova edhe në këtë fazën finale të dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka theksuar se do ta ketë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, që janë thellësisht të interesuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Gjithashtu, ai ka thënë se edhe BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të interesuara më shumë se asnjë herë më parë, që të arrihet marrëveshja për normalizim, si një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë në BE.

I pari i vendit ka shtuar se në bazë të mandatit kushtetues, si President i Republikës së Kosovës e ka obligim kushtetues që të përfaqësojë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, respektivisht t’i prijë këtij dialogu deri në fund. “Çështja e dialogut me Serbinë dhe e arritjes së kësaj marrëveshjeje ka gjithsesi karakter të interesit nacional dhe shtetëror për Kosovën. Për këtë shkak, mendoj që nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet politike tona të përkohshme, shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse dhe atyre opozitare, duke i bërë jorelevante relacionet afatshkurtra midis politikanëve dhe partive kosovare. Kjo çështje na takon të gjithëve. Është interes i të gjithë neve dhe i qytetarëve të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi. Për këtë shkak, ai ka thënë se ka theksuar shumë herë në javët dhe muajt e kaluar, që është e domosdoshme që të krijojmë një delegacion gjithëpërfshirës të Kosovës, të përbërë nga përfaqësuesit e partive politike, shoqëria civile, mediat, ekspertët e fushave të caktuara dhe të punohet bashkërisht. “Mendoj se një gjë e tillë do ta bënte këtë proces shumë më transparent, shumë më kredibil dhe përfundimisht më të pranueshëm dhe të zbatueshëm në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Jam i gatshëm për t’i trajtuar të gjitha idetë dhe propozimet të cilat do të na bëjnë sërish bashkë, si politikë dhe si shoqëri, për t’u përballur si duhet me sprovën që na pret tash e tutje”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi ka thënë se koha është duke ecur shpejt dhe kërkohet përgjegjshmëri në këtë proces.

“Unë jam i sigurt se Kosova do të përfaqësohet në mënyrë të denjë në çdo rrethanë dhe do të dalë fituese në këtë proces, i cili është i dizajnuar në mënyrë të tillë, që në fund dhe në rast të arritjes së marrëveshjes, të gjitha palët e përfshira do të përfitojnë. Ky nuk është një proces që do të prodhojë humbës. Prandaj, dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se procesi do të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe unë do të mbrojë interesin e Kosovës, ashtu siç e kam bërë gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se thirrja që në delegacionin e Kosovës të përfshihen të gjithë akterët është thirrje institucionale, e ndershme dhe meriton një përgjigje afirmative. Ndërsa, nëse do të  ndodhë një gjë e tillë dhe deri në çfarë shkallë mund të arrijë krijimi i një delegacioni gjithëpërfshirës, presidenti ka thënë se kjo mbetet të shihet. Në çdo rrethanë, kreu i shtetit ka thënë se dialogu do të udhëhiqet në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme, kurse marrëveshja përfundimtare eventuale do të kalojë nëpërmjet institucioneve tona shtetërore, të cilat do të vendosin për ratifikimin e sa