.
×

Presidenti Thaçi bën homazhe pranë arkivolit të zëvendësministrit Daci



Në nderim të zëvendësministrit të Diasporës, i cili vdiq dje nga një ortek bore në Brezovicë, homazhe ka bërë edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga bashkëpartiakë të tij. Po ashtu, homazhe ka bërë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij.

Homazhe pranë arkivolit të Arian Dacit ka bërë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti ka ngushëlluar babanë e zëvendësministrit të ndjerë, akademik Nexhat Dacin. Më pas, Thaçi është nënshkruar në librin e zisë.

Homazhe pranë arkivolit të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Dacit, kanë bërë edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të prirë nga shefi i grupit parlamentar, Glauk Konjufca.

Në mesin e atyre që kanë bërë homazhe pranë arkivolit të zëvendësministrit Arian Daci ishin edhe deputetë të LDK-së.

Një prej tyre, Besa Gaxherri, nuk i ka përmbajtur lotët gjatë nderimit dhe pasi u ka shprehur ngushëllime familjarëve të zëvendësministrit të ndjerë.

Në hollin e Kuvendit të Kosovës kanë filluar homazhet në nderim të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, i cili vdiq dje si pasojë e një orteku bore në Brezovicë.

Homazhe kanë bërë kolegët e Dacit nga kabineti qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu, homazhe po bëjnë edhe kolegë të babait të të ndjerit, Nexhat Dacit, i cili është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, rektori i UP-së, Marjan Dema, dhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike të vendit.

Pas homazheve, një akademi përkujtimore do të mbahet në Teatrin Kombëtar, ndërsa ceremonia e varrimit do të organizohet në varrezat e qytetit në ora 13:00.

I ndjeri vdiq dje si pasojë e një orteku bore në malet e Brezovicës.

Në momentin e shembjes së ortekut, Arian Daci ishte me një shok të tij, i cili u shpëtua në çastet e fundit.

Arian Daci është i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Dacit.

Njëri nga pjesëtarët e njësisë së shpëtimit në Brezovicë, Rifat Bytyqi, ka rrëfyer mbrëmë për RTK momentin kur kishin marrë lajmin për ortekun në qendrën e skijimit.

“Ka qenë ora 2 e 10 diku kur e kemi marrë informacionin për një ortek jashtë shtigjeve të skijimit. Informacioni ka qenë që dikush është zënë nga orteku”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka shpjeguar se ekipet e shpëtimit kishin shkuar te vendi i ngjarjes dhe me ron sonda kishin arritur ta lokalizonin trupin e viktimës.

“Pasi e kemi lokalizuar me shpejtësi e kemi nxjerrë por në momentin kur e kemi nxjerrë ai ka qenë pa shenja jete”, ka rrëfyer Bytyqi.

Ndërsa, Lulzim Zhubi, themelues i organizatës “Scardus” që promovon skijimin dhe organizon gara në këtë sport, ishte në Brezovicë  në ditën e aksidentit dhe për KALLXO.com  tha që zëvendësministri Arian Daci bashkë me Ardian Bakallin ishin duke skijuar jashtë terrenit të skijimit.

“Të jemi të qartë, që këta skijatorë me përvojë janë kapur në ortek jashtë shtigjeve të skijimit, në vendin që ne e quajmë ‘Foleja e Shqiponjës’ – Bakalli ka pasur me veti air-bag, mjet që e mbajnë skiatorët për të dalë prej ortekut, andaj edhe ka shpëtuar” thotë Zhubi.

“Ekziston tabelë e qartë, të cilën e kam parë vetë kur isha aty para 4 dite, se kjo pjesë ku ai ka vdekur është pjesë në të cilën është rrezik të skijohet, tabela është vërë që t’i alarmojë skijatorët se është rrezik të shkohet ‘jashtë pistës’ apo jashtë terrenit të paraparë për skijim. Këta dy skiatorë kanë qenë duke skijuar ‘free-ride’, që i bjen jashtë terrenit”, shtoi ai.