[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Presidenti i ardhshëm “do të kalojë” nëpër zyret e PDK-së ose të VV-së!



Botapress, 19 Korrik – Ngritja e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special të Hagës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli e ka vënë këtë parti në pozicion të palakmueshëm politik.‘Thikë me dy teha’ po e quan analisti Fitim Salihu pozicionin e Partisë Demokratike në kohën kur ajo mund të humb dy liderët historikë të saj, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.Sipas tij, do të jetë e rrezikshme që ajo të qëndrojë jashtë qeverisë, por njëjtë do të jetë edhe nëse hyn dhe shkelë premtimin ndaj votuesve.

“Kjo është thikë me dy teha për PDK-në. Me një anë, në Gjykatë Speciale dy liderët e saj historikë, duke e llogaritë edhe Thaçin, pavarësisht se është president, ai ka qenë themelues dhe kryetari më afatgjatë i partisë, në atë rast me dy liderët historikë në Hagë dhe duke qenë në opozitë PDK-ja do të ishte goxha e rrezikuar të qëndrojë jashtë qeverisë, do ta rrezikonte goxha shumë performanën e vet në zgjedhjet e ardhshme, pra mund të themi që PDK-ja nuk guxon të rrezikojë që pa liderët historikë të qëndrojë në opozitë. Do të ishte shumë e pambrojtur. Por, në anën tjetër është edhe rreziku që pikërisht duke hyrë në qeveri PDK-ja të duket sikur po e shkelë premtimin që e ka dhënë vetë kryetari Veseli në natën e zgjedhjeve, premtim që e kanë përcjellë edhe pas zgjedhjeve se ata duan të qëndrojnë në opozitë”, thekson Salihu, për GazetaBlic.
Mungesa e numrave në Kuvend, po shihet si shkas tjetër që qeverisë t’i bashkangjitet edhe një parti tjetër. PDK-ja, thotë Salihu, do të ketë rol thelbësor për zgjidhjen në Kuvend.“Nga ajo që përflitet jozyrtarisht, ka gjasa që PDK-ja të futet në qeveri sepse edhe nëse nuk ka aktakuzë njëherë për Thaçin, ka qenë e ditur se me përfundimin e mandatit të tij, koalicioni aktual nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin e ri dhe padyshim aty do t’i duhet bashkëpunimi me PDK-në ose me VV-në, që së paku ta siguroj kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Por edhe nëse nuk futet në qeveri PDK-ja, do të jetë një aktor krucial për zgjedhjen e presidentit të ri”, ka thënë Salihu.
E, sa i përket presidentit të ri i cili pritet të zgjedhet në shkurt të vitit tjetër, Salihu shton se zgjedhja e tij do të varet nga njëra prej partive opozitare që do të pranojë të rrijë në sallë për ta bërë kuorumin. Më të lehtë këtë proces e sheh me PDK-në, për të cilën thotë se varet nga kjo për të kërkuar kushtet.“Nuk mendoj se do të jetë ndonjë nga figurat politike që vijnë nga lufta, ish-komandantët e UÇK-së. Besoj se presidenti do të kaloj ose nga zyret e PDK-së ose të VV-së. Jo domosdosmërisht të jetë anëtar i tyre, por matematikisht nuk ka gjasa që të zgjedhet presidenti i ri as tash as kur skadon mandati i Thaçit pa kuorumin prej 80 deputetësh, i cili koalicioni aktual nuk i ka dhe i duhet bashkëpunimi me njërën prej partive opozitare”.
“Atë bashkëpunim më lehtë do ta gjejë tek PDK-ja se sa tek VV-ja, pastaj është krejt në duart e PDK-së se si vendosë ta luaj lojën dhe çfarë kushte kërkon për këtë. Njëri kusht mund të jetë vetë presidenti që t’i takojë asaj partie pa u futur në koalicion qeveritar dhe e dyta është çështje e kësaj partie se a arrinë ta marrë këtë kusht”, tha ai.
Rreth dy javë më parë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, kishte deklaruar se partia mbetet opozitare dhe se futja në qeverisje nuk ishte diskutuar.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar në fund të qershorit se ka dorëzuar aktakuzë ndaj kreut të PDK-së, Veselit, presidentit Hashim Thaçi, dhe disa të tjerëve, të cilëve nuk u janë bërë publikë emrat. Prokuroria Speciale akuzon këtë epror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, megjithatë aktakuza akoma nuk është konfirmuar.Presidenti Thaçi ka thënë se do të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij, ndërsa Veseli nuk është deklaruar nëse jep dorëheqje nga kreu i partisë./GazetaBlic

Menu Title