.
×

Presidenti dorëzon raportin për bisedimet me Serbinë por jo transkriptet e takimeve me Vuçiqin



Bashkëkryesuesit e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, kanë dalë nga takimi i sotëm me Presidentin Hashim Thaçi, me disa dokumente në duar.

Ata kanë marrë nga Thaçi një raport rreth temave të cilat ky i fundit, përgjatë viteve, i ka diskutuar me homogun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga bashkimi Europian.

“Sapo ishim në takim, kjo si pjesë e kërkesës sonë për dorëzim të dokumentacionit që presidenca e ka për takimet në Bruksel, poashtu takim i rregullt që po mundohemi ta ndërtojmë si traditë ku do të kemi konsultime me akterët”, tha Ahmeti pas takimit.

Ai foli edhe për përmbajtjen e dokumenteve të cilat i kanë marrë nga Presidenca.

“Sot na u dorëzua ky raport mbi fazën përfundimtare dua t’i potencoj dy gjëra: ky është raport i Presidencës për delegacionin shtetëror, na është raportuar mbi temat, nuk është transkript por raport për temat si të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore e dy shteteve”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se do ta diskutojë këtë raport me anëtarët tjerë të delegacionit shtetëror.