.
×

Pozita-Vetëvendosjes: Krimin e korrupsionin e luftojmë, por qytetarët duhet të lëvizin lirshëm



 

Asnjë parti politike nuk e përkrahë deklaratën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se fillimisht duhet luftuar krimi e korrupsioni, e pastaj të negociohet me Malin e Zi.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në një prononcim për Indeksonline ka thënë se asnjë institucion nuk është për krim e korrupsion, porse demarkacioni duhet votuar sa më parë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Beqa e ka përgëzuar veprimin e presidentit Hashim Thaçi dhe atij malazez, Filip Vujanoviq për nënshkrimin e aneks-marrëveshjes që lejon përmirësimin dhe shqyrtimin e vijës kufitare mes dy shteteve.

“Të gjitha subjektet politike, aq më shumë ne që jemi nëpër institucione dhe që kemi qenë në institucione kemi punuar në infrastrukturë ligjore, duke luftuar edhe krimin edhe korrupsionin e çdo dukuri negative. Asnjë institucion nuk besoj që është për krim e korrupsion. Konsideroj se demarkacioni është çështje që duhet të kryhet nesër dhe se deputetët duhet të votojnë në interes të qytetarëve, meqë ata janë duke pritur për liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Se demarkacioni duhet të votohet, është shprehur edhe deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj. Sipas tij, krimi e korrupsioni duhet të luftohen, por demarkacioni duhet të kalojë.

Megjithatë, Selmanaj ka theksuar se vija kufitare duhet të mbetet në Kullë e Zhlep.

“Ne po e fitojmë të drejtën për rinegocim dhe përmirësim të të gjitha gabimeve që kanë ndodhë në shënjimin e vijës kufitare. Duhet me u luftu krimi edhe korrupsioni, Kjo është kërkesë dhe detyrë e qeverisë, të gjitha dukuritë negative të luftohen, por problemet me Malin e Zi duhet të zgjidhen në atë mënyrë që ne mos me humbë territor, përkatësisht vija kufitare me qenë aty ku ka qenë në Kullë dhe në Zhlep”, ka thënë Selmanaj për Indeksonline.

Ai ka kujtuar dy vitet paraprake kur AAK-ja bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje kundërshtonin marrëveshjen e demarkacionit e nënshkruar në gusht të vitit 2015.

Por, Selmanaj ka theksuar se sot situata është ndryshe, teksa ka sqaruar se çka përmban ligji për demarkacionin i cili do të sillet nesër në Kuvendin e Kosovës.

“Ne e kemi kundërshtuar versionin e komisionit të Murat Mehës sepse ka pasur gabime dhe kërkesa e të gjithë ne, edhe e Vetëvendosjes ka qenë që me e ndryshu këtë gjendje. Por tash është situatë tjetër. Përbrenda ligjit janë 3 nene, e para është marrëveshja e gushtit të vitit 2015, pjesë e ligjit është edhe raporti i komisionit Bulliqi dhe deklarata e presidentit Thaçi me atë të Malit të Zi. Do të thotë të trija këto janë pjesë e ligjit”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit sot ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin të mbahet nesër në orën 11:00. Aty nuk mori pjesë Lista Serbe, pasi të njëjtin gjenden në Beograd. Ndërkohë, votën pro përveç subjekteve në pozitë, e ka konfirmuar edhe LDK-ja.