.
×

Pompeo: Amerika nuk do luftë me Iranin



Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë me Iranin, thotë Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

“Megjithëse nuk ka asnjë dyshim që Irani ishte përgjegjës për sulmet ndaj dy anijeve çisternë këtë javë, Shtetet e Bashkuara nuk duan të hyjnë në luftë me Iranin,” u shpreh sot shefi i diplomacisë amerikane në një intervistë për rrjetin Fox News.

Presidenti Trump ka bërë ç’është e mundur për të shmangur luftën, tha zoti Pompeo duke shtuar se Amerika do të garantojë lundrimin e lirë përmes korridoreve të rëndësishme detare dhe për ta arritur këtë rezultat “do të marrë të gjitha masat e nevojshme, qofshin diplomatike apo të tjera”.

Irani mohoi të ketë pasur gisht në sulme dhe dje thirri ambasadorin britanik në Teheran për të protestuar pasi autoritetet britanike fajësuan Teheranin për incidentin, siç njofton agjencia e lajmeve ISNA.
Ndërkaq, anëtarët e ekuipazhit të çisternës norvegjeze që u sulmua këtë javë, mbërritën në Dubai pasi kaluan dy ditë në Iran. Të dyja çisternat janë tani në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe. /voa