.
×

Policia pranon rekomandimin e IPK-së për suspendimin e ish ushtarëve të UÇK-së



Botapress 21 korrik: Policia e Kosovës ka pranuar se ka marrë rekomandimin nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), lidhur me suspendimin e 94 zyrtarëve policor, të cilët kanë qenë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që të njëjtit gëzojnë statusin e invalidit të luftës.

Sipas, IPK-së, këta zyrtarë në fjalë duhet të suspendohen pasi që të gjithë kanë probleme të shëndetit mental.

Në një pronocnim për Indeksonline, Zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha është deklaruar lidhur me këtë çështje.

“Policia e Kosovës ka pranuar një rekomandim nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i njëjti është në proces të shqyrtimit”, ka thënë Hoxha për Indeksonline.

Ndryshe, IPK ka treguar edhe arsyen e rekomandimit të tyre që i kanë dhënë policisë për pjesëtarët në fjalë.

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke ju referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forensike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psiqike”, thotë IPK-ja.

Kujtojmë, se kundër këtij rekomandimi ka dalë  edhe OVL-UÇK-Pejë  të cilët kanë thënë se janë kundër suspendimit  nga puna të policëve ish ushtarë të UÇK-së.

Në reagimin e tyre thuhet se “…kërkojnë që këta policë të amnistohen, të paktën deri sa Komisioni Mjekësor Invalidor i formuar në fund të vitit 2017, të rivlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të rivlerësojë shkallën e tyre të invaliditetit”, thuhet në reagimin e tyre./BP/