.
×

Policia jep detaje nga grabitja e bankës në Prishtinë



Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka sqaruar rastin e grabitjes së armatosur që ka ndodhur sot rreth orës 13:30, në filialin e një banke që gjendjet në lagjen Veternik, në Prishtinë. Policia thotë se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, po ashtu personat e dyshuar kanë sulmuar fizikisht një person dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunkatën e policisë.

Ata njoftojnë se personi i lënduar (sigurim i bankës), është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.