.
×

Përurohet zyra e re e gjendjes civile në Nerodime



 

 

Të premten në fshatin Nerodime të komunës së Ferizajt, është bërë përurimi i zyrës së re të gjendjes civile, ndërkaq në kuadër të kësaj zyreje do të inkorporohet edhe biblioteka e këtij fshati.

Në përurimin e kësaj zyreje morri pjesë kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar nga drejtori i Administratës së Përgjithshme Faruk Hyseni, por edhe bashkëpunëtore të tjerë.

Kryetari Svarqa ka deklaruar se me këto investime po ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe cilësinë e shërbimeve në këto lokalitete.

“Objekti i gjendjes civile në Nerodime të Epërme është një nga objektet më të rëndësishme që i takon administratës komunale, sepse ne me këtë objekt po ju ofrojmë shërbime shumë afër qytetarëve, dhe në kushte shumë më të mira, sepse këtu ka qenë pothuajse gati një improvizim i objektit shumë të vjetëë i cili ka rrezikuar të i nënshtrohet ndikimeve të kohës dhe të shkatërrohet, prandaj në bazë të kësaj vëmendje ne kemi ndërtuar një objekt të ri me kushte shumë më të mira për punë dhe me kushte më të mira për ofrimin e shërbimeve qytetare”, ka thënë kryetari Svarqa.

Tutje kryetari Svarqa, është shprehur se në fshatin Nerodime ka pasur edhe investime të tjera të cilat janë shumë të rëndësishme për banorët ekëtij lokaliteti.

“Ne do të bëjmë edhe investime edhe më të mëdha në këtë anë, sepse edhe koncentrimi i banorëve, por edhe pasuritë natyrore janë një obligim shtesë për qeverinë komunale për të pasur një vëmendje në këto investime edhe për rrugë më të mira. Në të ardhmen pritete të krijohen kushte edhe për ndërtimin e një ujëmbledhësi në gryken e Nerodimës, në mënyrë që të bëhet zgjidhja e problemit edhe të ujit të pijes dhe të ujit industrial për një pjesë të banorëve të komunës së Ferizajt”, ka potencuar kryetari Svarqa.

Ndërsa Isa Sadiku, zyrtarë i Gjendjes Civile në këtë fshat, ka thënë se kushtet e punës në zyrën e vjetër kanë qenë tejet të rënda. Ai ka mirëpritur përurimin e zyrës së re gjendjes civile në këtë fshat, duke theksuar se edhe shërbimet për qytetarë do të jenë shumë të lehta dhe cilësore.

Në zyrën e gjendjes civile në fshatin Nerodime, shërbimet tyre i kryejnë banorët e këtyre fshatrave: Jezerc, Nerodime e Ulët dhe Epërme, Mansatirc, Balaj dhe Dremjaku. Vlera e këtij projekti kap shumën 33 mijë euro.

Në Komunën e Ferizajt, janë tete zyra të Gjendjes Civile nëpër fshatrat e këtij qytetit.