.
×

Përplasje në PDK, Nait Hasani i kundërvihet Sami Lushtakut: Tregoji emrat!



Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, ka folur rreth akuzave që i ka bërë bashkëpartiaku i tij, Sami Lushtaku, sipas të cilit 4-5 njerëz të PDK-së e kontrollojnë sistemin e drejtësisë, mediat, biznesin dhe sferat e tjera vitale të Kosovës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Nait Hasani tha se Sami Lushtaku duhet të flasë me emra e jo me numra.

“E para, unë nuk e kontrolloj sistemin e drejtësisë. Unë po përgjigjem për vete, nuk e kontrolloj asnjë sistem, do të thotë. Ata që kanë thënë le të përgjigjen për vete edhe njerëzit që janë ai t’i tregon (Sami Lushtaku për 4-5 personat e PDK-së)”, tha Nait Hasani.

“Ai (Lushtaku) ka përmendur numër, le t’i plotësojë numrat me emra dhe le të marrë përgjegjësinë secili. Unë marr përgjegjësi sa më takon”, tha Hasani.

Deputeti Hasani ka thënë për KALLXO.com se nuk e di nëse PDK ka kërkuar nga Lushtaku që të lirojë pozitën e tij brenda strukturave të PDK-së.

Ai shtoi se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar publikisht nga të gjithë personat që kanë aktakuza, për krim të organizuar korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtarë të lirojnë pozitat e tyre.

“Nuk e di që është kerkuar por ka qenë një fjalë publike prej kryetarit, për të gjitha vendet për ata qe kanë precedent të akuzave, kjo ka qenë deklarata e tij që është publike që e ka dhënë pasi është zgjedhur kryetar në selinë e partisë”, tha ai.