.
×

Përplasje fizike në Degën e PDK-së në Skenderaj, anulohen zgjedhjet!



Botapress, 14 Prill – Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka dhënë pak detaje nga ajo që ka ndodhur sot në nëndegën e Klinës së Epërme. Nuk ka treguar se aty kanë plasur grushtet, por ka thënë se atje ka pasur pakënaqësi. “Sa për sqarim të opinionit, kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve. Në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t’i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri”, ka thënë Lushtaku, në profilin e tij në Facebook. Lushtaku për përleshjen: Në Klinë të Epërme pati pakënaqësi, u anuluan zgjedhjet Ndërkohë ai ka treguar se zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Skenderaj, janë mbajtur në Kllodërnicë, Rakinicë dhe Krasmirofc. “Në këto nëndegë janë zgjedhur kryetarët, delegatët për kuvendin e degës dhe kryesitë e nëndegëve. Të gjitha këtyre strukturave u dëshiroj punë të mbarë e suksese në mandatin e ri 4 vjeçar”, ka thënë ai. Rreth kësaj ngjarje ka reaguar më parë edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas njoftimeve se në PDK-në e Skenderajt sot ka pasur përleshje fizike. Jashari ka thënë se nuk është as nuk do të jetë fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike. “Unë i kam hapur dyert e bashkëpunimit për të gjithë, pa dallim. Pavarësisht kësaj, për aq kohë sa do të jem në krye të Komunës, përkrahës të mi i konsideroj të gjithë banorët e Skenderajt. Për mua, të gjithë, pa asnjë dallim, janë qytetarë të barabartë, të njëjtë”, ka thënë Jashari. Koha.net ka raportuar gjatë ditës se zgjedhjet e brendshme të PDK-së në komunën e Skenderajt, kanë degraduar në përleshje fizike të dielën. Duke u thirrur në burime të gazetës Koha Ditore, ishte mësuar se përplasjet janë shënuar midis grupit të Sami Lushtakut dhe atij të Nuredin Lushtakut që e mbështet kryetarin e komunës, Bekim Jashari. Të pranishëm, pos këtyre dyve kishin qenë edhe deputetët Bekim Haxhiu e Ganimete Musliu. Sipas burimeve, përleshja fizike ka ndodhur gjatë një tubimi të organizuar me synimin për t’i zhvilluar zgjedhjet në seksionin e Klinës së Epërme. Pas saj, procesi zgjedhor është ndërprerë. Skenderaj ka qenë bastion i PDK-së që prej formimit të partisë, ndërkaq përçarjet në të u bënë të dukshme në zgjedhjet e fundit lokale, kur në garë për kryetar komune u përfshi Bekim Jashari.