.
×

Përmbytet nënkalimi, qytetarët e “Kalabrisë” në Prishtinë rrezikojnë jetën duke kaluar rrugën me pengesa



Sa herë që ka të reshura, nënkalimi i këmbësorëve në lagjen “Kalabria” të kryeqytetit përmbytet nga uji. Ai ka qenë i pashfrytëzueshëm edhe të martën, si pasojë e sasisë së ujit të grumbulluar.

Kjo gjendje i ka mllefosur qytetarët, të cilët kërkojnë zgjidhjen të këtij problemi, raporton KTV. Nga pamundësia për ta shfrytëzuar nënkalimin, këmbësorët detyrohen ta rrezikojnë jetën duke kaluar rrugën me pengesa prej katër shiritash.

Në komunën e Prishtinës thonë se grumbullimi i ujit vjen si pasojë e dëmtimit të rrjetit të kanalizimit, në të cilin janë kyçur gypat e nënkalimit. Drejtori për Shërbime Publike në Komunë, Habib Qorri, thotë se për të larguar ujin kanë vendosur një pompë, por, sipas tij, ajo është ndalur nga persona të paautorizuar.

Qorri ka theksuar se gjatë ditës kanë intervenuar për ta larguar ujin. Derisa, ka shtuar se së shpejti do të intervenojnë në rrjetin e kanalizimit për ta eliminuar problemin i cili po shkakton përmbytjen e nënkalimit nga uji.