.
×

“Perandorët”, një roman i shkrimtares Rama që ka zgjuar kureshtjen e dashamirëve të letërsisë



 

Majlinda (Nana) Rama, shkrimtare e lindur në Tepelenë të Shqipërisë, ka zgjuar interesimin e shumë lexuesve me romanin e saj “Perandorët” i cili është promovue në shumë shtete, pasi që ka zgjuar kureshtjen e dashamirëve të fjalës artistike. Ajo, edhe pse në moshë të re, (vetëm 34 vjeçare) është autore e shumë librave të shkruara në prozë dhe poezi, por merret edhe me kritikë letrare dhe gazetari. Majlinda, pos që është fituese e çmimit special letrar në Konkursin Ndërkombëtar “Muza Poetike 2012”, është edhe anëtare e Lidhje së Poetëve Bashkëkohorë të Botës (Ë.P.S). Kjo shkrimtare e rangut të lartë, me kënaqësi pranoj të jap intervistë për “Botapress”, duke thënë se është e nderuar të bën një gjë të tillë.

 Bisedoi: Adem Lushaj

 

 

Botapress: Zonja Majlinda, për shumë kohë merreni me krijimtari letrare: poezi, prozë, por edhe me kritikë letrare. Në fakt, Kush është Majlinda Rama?

 

Perceptimi për universin, shija estetike, e bukura nisin e të shfaqen para horizontit dhe secili, qysh fëmijë, kërkon ta vizatojë me ngjyra, tinguj, imazhe, madje, herë – herë, edhe ta përsosë atë që nuk është e bukur. Kjo ndjesi i jep krijuesit përgjegjësi dhe e hedh drejt një misioni të ri, misionit letrar. Dhe, pikërisht në këtë fazë, lind certifikimi dhe ligjshmëria krijuese individuale. Pastaj, kohë pas kohe, krijuesi largohet nga ’gjenialiteti i turmës’, siç do ta përkufizonte  Charles Bukoëski  dhe krijon një art tërësisht të vetin. Që t’i kthehem pyetjes suaj, gërmëzimet e mia të para u takojnë viteve të shkollës fillore, me një poezi kushtuar prindërve të mi, pastaj, pasioni poetik do të më tërhiqte për ta parë dhe konceptuar botën ndryshe, në gjithë hapësirën e saj dimensionale, me nuancat dhe bardhësinë e saj. E lindur në Tepelnë, kam kryer edhe shkollimin fillestar dhe të mesëm, e pastaj kam vazhduar me shkollimin e lartë, duke përfunduar studimet në dy fakultete, atë Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, dhe atë të Shkencave Politike, përkatësisht në Marrëdhëniet ndërkombëtare, e më vonë edhe ato master të Komunikimit Politik. Fillimisht kam punuar si administratore e Shërbimit Social për Ndihmat Ekonomike dhe Paaftësinë, më pastaj edhe si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë., ndërkaq prej vitit 2004, jap kontributin tim në mediat pamore dhe ato të shkruara. Mirëpo, përkushtim im është në fushën e krijimtarisë letrare, qoftë në prozë apo poezi.

 

Botapress: Këto kohë keni dalë për lexuesin me romanin ‘Perandorët’, roman i cilësuar si më i suksesshmi në letërsinë shqipe. Çfarë ka të veçantë ky roman, drejt të cilit kanë vërshuar vlerësimet nga kritikët dhe studiuesit letrarë dhe, pse pikërisht “Perandorët”?

 

Së pari, më duhet t’i falënderoj të gjithë studiuesit dhe kritikët që kanë gjetur kohë për t’u marrë me romanin tim ‘Perandorët’. Jam ndier e vlerësuar dhe këtë vlerësim e përkthej në përgjegjshmëri krijuese. Për sa i përket romanit, unë mendoj se ka qenë tematika ajo që ndoshta ka goditur në shenjë. Njerëzit janë të ndjeshëm ndaj një realiteti që e jetojnë përditë me dhimbje e brenga. Madje, në këtë jetë, shumë gjëra atyre u imponohen, edhe pse i njohin sipërfaqshëm ose s’i njohin fare. Dhe jashtësia është gërryese kur nuk sinkronon me brendësinë, thelbin, atë që përbën të vërtetën. Unë mendoj se sjellja e botës aktuale në Shqipëri, me ngjyra realiste, pa klishetë zbukuruese dhe gënjeshtra, i ka bërë lexuesit e kualifikuar, por edhe ata të thjeshtë, të dëshirojnë të hyjnë brenda romanit. Është një kërshëri që na lind të gjithëve për të njohur ato gjëra të cilat na i fshehin njerëzit e pushtetshëm, por që në fakt janë gjëra që kanë shumë rëndësi për jetët tona. Në fund të fundit, kjo është magjia e letërsisë: jo vetëm të sjellësh art letrar, por edhe të bëhesh faktor në jetën publike e shoqërore, përkundër, nuk do të flisnim për mision, si në rrafshin njerëzor, ashtu dhe në atë krijues. Pse ‘Perandorët’? Sepse është njëfjalësia më etiketuese për pushtetin që gëzojnë personazhet e romanit që e lëvizin botën, fatkeqësisht në kahun negativ. Pushtet i pakufishëm, dërrmues! Do të doja që një hapësirë brenda pyetjes suaj, t’ia kushtoja edhe Shtëpisë Botuese ‘Toena’, drejtueses së saj, Irena Tocit, e cila ka bërë një punë serioze dhe profesioniste.

 

rama1

 

Botapress: Përveç si poete, jeni edhe prozatore, merreni me publicistikë, kritikë letrare, etj. Do të ishte me interes të mësonim, cili nga këto zhanre ka prioritet në krijimtarinë tuaj ?

 

Në letërsi nuk ka korniza, nuk ka prioritete, ka vetëm frymëzim për punë krijuese. Unë mendoj se, sa më shumë hapa hedh krijuesi në jetë, aq më shumë zgjeron rrjetin e vet dhe kjo është frymëzuese në kuptimin krijues, por edhe obligim në kuptimin studiues. Pra, nëse zgjedh të jesh personazh i letrave, kjo është pjesë integrale e së tërës. Unë jam brenda profilit letrar. Primar është frymëzimi, materiali letrar, pastaj forma është ‘luks’ që ta ofron letërsi dhe mund të përzgjedhësh në varësi të tematikës dhe asaj që kërkon të kumtosh:  poezinë, eseistikën, prozën e gjatë, publicistikën apo dhe studimet letrare. Hegel ka një thënie të qëlluar që shërben si parim. Ai thotë se vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin.

 

Botapress: Ku është veprimtaria artistike sot? Sa çmohet në Kosovën e pasluftës, por edhe në Shqipëri?

 

Sot ka prodhime të gjera letrare e artistike. Unë nuk jam skeptike në këtë drejtim, kam këndvështrimin dhe bindjen time. Si në çdo vend të botës, edhe te ne, ka krijime të mira, më pak të mira dhe shumë të mira. Pastaj, i mbetet lexuesit të bëjë një klasifikim të vlerës dhe të ushtrojë leximin në mënyrë selektive. Personalisht, e kundërshtoj me forcë ndonjë zë që mbron tezën se sot nuk ka letërsi. Jo. Unë kam lexuar autorë të gjeneratave të ndryshme, deri tek talentet e reja, dhe kam dalë në konkluzionin që në Shqipëri e në Kosovë ka prurje cilësore. Në fakt, do të më pëlqente të flisnim për letërsi shqipe, të pakornizuara duke vendosur kufij ndarës Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Letërsia shqipe është e unifikuar, kudo që shkruhet dhe kurdo që shkruhet, brenda dhe jashtë territoreve gjeografike të Kombit tonë.

 

Botapress: Po ku është Majlinda Rama, në botën e madhe të letrave shqipe?

 

Kjo pyetje, në fakt, nuk i bëhet krijuesit, por lexuesit dhe, ca më shumë, kritikës. Janë këto dy ‘institucione’ që i vënë vulën dhe i japin një status krijimtarisë letrare. Nuk do të doja të bëja një përcaktim. Është një ‘kurth’ në të cilin nuk duhet të bie një krijues. Nëse një autor e vendos vetë vendin në vitrinën e letërsisë, unë aty shoh fundin  tij. Dhe, në këtë  rast, unë do të citoja një shprehje të John Ëooden, i cili thotë: ”Talentin ta jep Zoti, ji modest; famën ta japin njerëzit, ji mirënjohës; mendjemadh bëhesh vetë, ki kujdes!”.

 

Botapress: Çfarë  jeni duke shkruar këto kohë? A ju kanë kritikuar për ndonjë vepër poetike apo roman? Çfarë pret lexuesi nga ju?

Në fakt, nuk jam duke shkruar, por jam duke sistemuar disa shkrime të miat në vite për të mbyllur librin ’Kritika letrare’, me studime, analiza, recensa dhe refleksione mbi autorë dhe vepra të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Për sa i përket pjesës tjetër të pyetjes suaj, ndihem mirë, pasi kritika letrare në Tiranë, Kosovë, por edhe në Diasporë e kanë parë me dashamirësi dhe e kanë vlerësuar veprën time, sidomos romanin. Kjo më ka obliguar më tepër për të sjellë vepra të cilat përmbushin shijet estetike të lexuesit dhe  sjellin një erë ndryshimi në jetën sociale, ekonomike apo politike në vendin ku unë jetoj dhe punoj.

 

 

majlinda rama

p.s.

 

 Ka botuar:

1- “Merrma lotin peng”,(poezi, 2004)

2-“Hënë e qiellit tim” ,(poezi, 2006)

3- “…por gjyqi vazhdon…”,(prozë, 2006)

4- “Perandorët”, (roman, 2014)

 

Ka në proces:

1-“Yasmin’ ”, (roman)

2-“Kritika Letrare”, ( kritika, studime, recensione, publicistikë).

 

TË TJERA:

* Është përfshirë në dy Antologjitë Poetike “Korsi e hapur” ku janë bërë pjesë mbi 270 autorë nga vendi e bota, njëri botim i vitit 2008 dhe tjetri botim i vitit 2010.

 *Është redaktore dhe recensente e dhjetëra librave të autorëve të ndryshëm në prozë dhe poezi.